Zgjidhet pas 51 vitesh vrasja e adoleshentes në SHBA, autor vrasësi serial Ted Bundy

Bota

Zgjidhet pas 51 vitesh vrasja e adoleshentes në SHBA, autor vrasësi

Zyrtarët në Utah kanë mbyllur zyrtarisht një çështje të pazbuluar 51-vjeçare, pasi kanë përdorur teknologji të re të ADN-së për të identifikuar një adoleshente të vrarë si viktimë të vrasësit serial Ted Bundy.

17-vjeçarja, Laura Ann Aime u zhduk pasi u largua nga një festë për Halloween në vitin 1974. Trupi i saj u zbulua rreth një muaj më vonë nga alpinistë në Kanionin American Fork.

Të mërkurën, Zyra e Sherifit të Qarkut të Utahut njoftoi se testet e reja konfirmuan se provat e ADN-së të nxjerra nga trupi i Laurës verifikuan ekzistencën e ADN-së që i përkiste Bundy-t.

Midis shkurtit 1974 dhe shkurtit 1978, Bundy vrau të paktën 30 gra. Ai është lidhur gjithashtu me shumë vrasje të tjera në të gjithë vendin.

Përpara se të ekzekutohej në Florida në vitin 1989, Bundy rrëfeu vrasjen e Laurës, por meqenëse nuk dha hollësi ose detaje mbi përfshirjen e tij aktuale në vdekjen e saj, Departamenti i Sherifit vendosi ta mbante këtë çështje të hapur derisa hetuesit të mund të provonin, pa asnjë hije dyshimi, se ai ishte vrasësi i saj.

“Ky rast tani është mbyllur zyrtarisht,” deklaroi Sherifi i Qarkut të Utahut, Mike Smith, gjatë një konference për shtyp.

Sherifi shtoi se nëse Bundy do të ishte ende gjallë, prokurorët do të kërkonin dënimin me vdekje kundër tij.

Bundy është ndër vrasësit serialë më famëkeq të Amerikës. Në kohën e vdekjes së Laurës, ai jetonte në Salt Lake City dhe studionte drejtësi në Universitetin e Utah-ut.

Bundy njihej për faktin se shpesh i afrohej grave në vende publike, fitonte besimin e tyre me sharmin e tij ose me një lëndim të rremë, dhe më pas i joshte ato në zona të izoluara dhe i vriste.

Ai u arrestua për herë të parë në vitin 1975 për rrëmbimin e një gruaje dhe u dënua me 15 vjet burg. Por në vitin 1977 ai u arratis duke kërcyer nga dritarja e bibliotekës së burgut.

Ai u rikap për tetë ditë dhe pastaj u arratis përsëri, duke vazhduar të vriste derisa u kap më në fund në vitin 1978.

ME TE LEXUARAT