Tërmet 7.4 ballë në Indonezi, rrëzohen ndërtesat, vret 1 person dhe shkakton cunami

Bota

Tërmet 7.4 ballë në Indonezi, rrëzohen ndërtesat, vret

Një tërmet nënujor me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter rrëzoi ndërtesa në disa pjesë të Indonezisë veriore, i detyroi njerëzit të largoheshin nga shtëpitë e tyre, vrau të paktën një person dhe shkaktoi një cunami të vogël të enjten.

Një dridhje e fortë që zgjati 10 deri në 20 sekonda u ndje në Bitung në provincën e Sulawesi-t të Veriut, si dhe në qytetin Ternate në provincën fqinje të Maluku-t të Veriut, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive. Provincat kufizohen me Detin Molucca, ku ishte dhe epiqendra e tërmetit.

Vlerësimet fillestare treguan dëme të lehta deri të rënda në disa pjesë të Ternate, duke përfshirë një kishë dhe dy shtëpi. Në Bitung, vlerësimet e dëmeve janë ende duke u zhvilluar, tha agjencia.

“Sapo ishim zgjuar dhe papritmas ra tërmeti... të gjithë vrapuam jashtë shtëpisë. Dridhja ishte shumë e fortë”, tha banori i Bitungut, Marten Mandagi. 

Agjencia e Kërkimit dhe Shpëtimit e Indonezisë raportoi se një grua 70-vjeçare vdiq nga shembja e një ndërtese në qytetin Manado të Sulawesi-t Verior dhe një banor tjetër u plagos. Të paktën tre persona të plagosur u shtruan në spital në Ternate.

Kryesoren e pasuan dhjetëra lëkundje pasuese, përfshirë një me magnitudë 6.2. Autoritetet po vazhdojnë të mbledhin informacione mbi dëmet dhe viktimat e mundshme nga zona të shumta, veçanërisht fshatrat e largëta, ndërsa punojnë për të vlerësuar shkallën e katastrofës.

Valë cunami deri në 75 centimetra mbi baticat normale u regjistruan në disa stacione monitorimi rreth bregdetit të Detit Molucca. Agjencia meteorologjike e Indonezisë e hoqi paralajmërimin për cunami disa orë pas tërmetit, dhe Instituti Filipinez i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë tha se nuk kishte kërcënim shkatërrues për vendin.

Indonezia, një arkipelag i gjerë me më shumë se 280 milionë banorë, ndodhet mbi çarje të mëdha sizmike dhe goditet shpesh nga tërmetet dhe shpërthimet vullkanike.

ME TE LEXUARAT