U akuzua për “tradhti”, Obama reagon ashpër ndaj Trump

Bota

U akuzua për “tradhti”, Obama reagon ashpër ndaj Trump

Tensionet mes ish-presidentit amerikan Barack Obama dhe presidentit aktual Donald Trump kanë shpërthyer sërish, pas deklaratave të rënda të këtij të fundit, i cili akuzoi publikisht Obamën për “tradhti”.

Nga Shtëpia e Bardhë, gjatë një konference për shtyp me presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., Trump tha:
“E provuan të na vidhnin zgjedhjet. Obama është kapur në flagrancë. Është fajtor. Kjo është tradhti, çdo fjalë që mund të mendoni.”

Trump iu referua një raporti të publikuar së fundmi nga Drejtoresha Kombëtare e Inteligjencës, Tulsi Gabbard, e cila pretendon se Obama dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kishin orkestruar një “grusht shteti shumëvjeçar” për të sabotuar presidencën e tij, nëpërmjet manipulimeve lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Demokratët i hodhën poshtë akuzat si “të pabaza dhe absurde”, ndërsa zëdhënësi i Barack Obamës, Patrick Rodenbush, reagoi ashpër ndaj pretendimeve të Trump, duke i quajtur ato një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur vëmendjen nga problemet reale që përballon vendi.
“Këto pretendime janë të çuditshme, të pakuptimta dhe thjesht një përpjekje për të shpërqendruar opinionin publik nga çështjet thelbësore,” u shpreh ai.

Raporti i Gabbard përfshin disa email-e të deklasifikuara që sugjerojnë se administrata Obama kishte shtypur të dhëna që tregonin mungesën e provave për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Rusisë në infrastrukturën zgjedhore të SHBA-së. Megjithatë, komuniteti i inteligjencës amerikane vazhdon të mbështesë përfundimin se Rusia ka ndikuar për të ndihmuar fitoren e Trump në vitin 2016.

Ky përplasje e re mes dy figurave të fuqishme politike amerikane pritet të trazojë më tej debatin publik dhe të ndikojë drejtpërdrejt në klimën elektorale përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

ME TE LEXUARAT