Operacioni “The Wanted”, në pranga një shqiptar i akuzuar për vrasje me paramendim

Aktualitet

Operacioni “The Wanted”, në pranga një shqiptar i akuzuar

Operacioni ndërkombëtar “The Wanted” vijon me një tjetër goditje të fortë ndaj krimit të organizuar.

Në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Denis Brajoviç, 37 vjeç, i cili u kap në Dubai.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, Denis Brajoviç konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore, dhe ndaj tij rëndojnë një sërë akuzash të rënda. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën “arrest me burg” për:
– Vrasje me paramendim,
– Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve,
– Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal,
– Kryerje veprash penale në kuadër të grupit kriminal,
– Sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje.

Të gjitha këto vepra penale janë kryer në kuadër të një organizate të strukturuar kriminale, çka e rendit D. B.-në ndër elementët më të kërkuar të botës së krimit shqiptar.

Autoritetet bëjnë të ditur se detaje mbi orën e mbërritjes së të ekstraduarit do të komunikohen në një njoftim të veçantë. Ky zhvillim vjen si pjesë e ofensivës së vazhdueshme të Policisë së Shtetit dhe strukturave ndërkombëtare kundër krimit të organizuar dhe individëve të rrezikshëm në arrati.

ME TE LEXUARAT