Trendi i rrezikshëm në TikTok fut vajzën 7-vjeçare në koma

Një vajzë 7-vjeçare ka përfunduar në koma të induktuar pasi ndoqi një sfidë virale në TikTok, duke u bërë viktimë e një loje që doli jashtë kontrollit. Scarlett Selby, nga Missouri (SHBA), vendosi të eksperimentonte me një lodër të tipit NeeDoh, pasi kishte parë në rrjetet sociale që përdorues të ndryshëm e fusnin atë në ngrirje dhe më pas në mikrovalë për ta zbutur.
Por ajo që filloi si një veprim “i pafajshëm”, përfundoi në një incident shokues. Lodra shpërtheu dhe një masë e nxehtë, ngjitëse dhe e dëmshme i ra në fytyrë, gjoks dhe mjekër. Babai i saj, Josh Selby, tregon se dëgjoi një “ulërimë rrëqethëse” dhe nxitoi për ta ndihmuar, teksa përpiqej të hiqte me duar substancën që i digjte lëkurën së bijës.

Scarlett u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët vendosën ta fusnin në koma të induktuar për shkak të frikës nga mbyllja e rrugëve të frymëmarrjes si pasojë e djegieve në gojë. Vajza qëndroi tre ditë në koma dhe një javë në spital, ndërsa prindërit e saj përballuan momente të jashtëzakonshme frike dhe ankthi.
Nëna e saj, Amanda Blakenship, theksoi se vajza ishte ndikuar nga videot në TikTok dhe YouTube, ku njerëz të rritur eksperimentonin me lodrën në mënyra të rrezikshme. “Ajo donte thjesht ta provonte vetë,” u shpreh ajo me trishtim, duke shtuar se tani Scarlett mund të ketë nevojë për transplant të lëkurës.
TikTok ka deklaruar se ndalon rreptësisht përmbajtjet që promovojnë sjellje të rrezikshme dhe ka ndërtuar sisteme që zbulojnë dhe ndërhyjnë kur shpërndahen sfida potencialisht të dëmshme. Nga ana tjetër, YouTube theksoi se është një platformë për përdorues mbi moshën 13 vjeç dhe se llogaritë nën këtë moshë pa mbikëqyrje do të mbyllen ose shndërrohen në llogari të kontrolluara nga prindërit.
Kompania prodhuese e lodrës, Schylling Toys, u shpreh e zhgënjyer nga keqpërdorimi i produktit dhe konfirmoi se ka bashkëpunuar me rrjetet sociale për të fshirë videot e rrezikshme. Në reagimin zyrtar, Schylling thekson se ka shtuar paralajmërime të qarta si në paketim ashtu edhe në faqen zyrtare, duke theksuar se vendosja e produktit në mikrovalë apo ngrirje është shumë e rrezikshme dhe nuk duhet provuar kurrë.
Ky rast tronditës ngre sërish alarmin për rreziqet që fëmijët përballojnë në internet dhe nevojën urgjente për kontroll më të rreptë të përmbajtjes dhe mbikëqyrje prindërore.
Një klikim i pafajshëm mund të kthehet në një tragjedi – dhe Scarlett është dëshmi e gjallë e kësaj.


