Çmimi i naftës arrin kulmin në Shqipëri, ja me sa po tregtohet litri sotr

Çmimi i naftës dhe benzinës në tregun vendas arrin afër niveleve rekord të shënuara gjatë luftës në Ukrainë.
Sipas një vëzhgimi të Monitor, ditën e sotme në pikat me pakicë nafta është tregtuar me çmim 226 deri 229 lekë për litër, nga 219 lekë për litër që ishte çmimi i mëparshëm. Nafta është rritur nga 7 lekë deri 10 lekë për rritur.
Shtrenjtim të çmimeve është shënuar edhe për benzinën. Nga 205 lekë që ishte çmimi i mëparshëm sot ka nisur të tregtohet me 216 dhe 219 lekë për litër. Benzina është rritur nga 11 deri 14 lekë për litër.
Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, duke u luhatur në nivelet 219-224 lekë për litër, nga rreth 175 lekë për litër para nisjes së konfliktit.
Por kjo është rritja më e lartë e çmimit të karburanteve prej vitit 2022 kur nisi agresioni rus në Ukrainë.
Në muajin mars 2022 çmimi i naftës arriti nivelin rekord vetëm për 1 ditë në vlerën e 265 lekë për litër. Teksa për disa ditë rresht nafta u tregtua 230 deri 235 lekë për litër.
Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas erdhi, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet e huaja më 10 Shtator.
Dy ditë më parë nafta “brent crude” arriti në nivelet maksimale prej 110 USD për fuçi nga 100 USD që tregtohej më parë. Ditën e sotme në bursa nafta po tregtohet me çmim 104 USD për fuçi.
Shtrenjtim i lartë u shënua edhe te çmimi Platts, që përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve.
Çmimi final i Platts arriti 1,619 USD për ton me rritje prej 165 USD për ton nga çmimi i mëparshëm. (Më 10 shtator 2026, çmimi i naftës Platts HCIF arriti 1,571.5 USD për ton, ndërsa së bashku me premium prej 30 USD për ton dhe përllogaritjen përkatëse, çmimi final arrinte në rreth 1,619.13 dollarë/ton.)
Rritja e menjëhershme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare u ndikua nga situata e konfliktit në Jemen, që solli rënie të trafikut të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, ku transportohet 20% e prodhimit botëror dhe vështirësive të kalimit përmes Detit të Kuq./Monitor/


