Përshkallëzohen tensionet SHBA-Iran, amerikanët fundosin 6 anije iraniane në Ngushticën e Hormuzit

Situata në Ngushticën e Hormuzit vijon të përshkallëzohet, me incidente të njëpasnjëshme që kanë rritur ndjeshëm tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se ka shkatërruar gjashtë mjete të vogla detare iraniane, të cilat sipas saj po ndërhynin në lundrimin tregtar dhe përbënin kërcënim për anijet amerikane dhe ato civile në zonë. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.
Në një zhvillim tjetër, Teherani pretendon se ka goditur me raketa një anije luftarake amerikane për të penguar kalimin e saj në ngushticë, ndërsa raportohet edhe për një incident me një anije të Koresë së Jugut, e cila u përfshi nga flakët. Qeveria e Seulit ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj anijeve amerikane do të marrë përgjigje shkatërruese ndaj Iranit.
Paralelisht me këto zhvillime, një zjarr i madh është raportuar në portin e Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa autoritetet lokale thanë se kanë interceptuar disa raketa. Po ashtu, në Dubai mijëra qytetarë morën njoftime emergjente për rrezik të mundshëm nga sulmet me raketa, duke shtuar klimën e pasigurisë në rajon.
Ngjarjet e fundit tregojnë për një situatë të brishtë dhe potencialisht të rrezikshme në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.


