Kërdia në Angli, agjenti imobiliar i siguroi shqiptarëve 9 shtëpi për të mbjellë dro'gë

Pesë persona janë dënuar me më shumë se 14 vite burg në total në Britani, pasi u zbuluan të përfshirë në një rrjet kriminal që përdorte një agjenci imobiliare për të ngritur dhe menaxhuar 19 ambiente të kultivimit të kanabisit.
Vendimi u dha në Gjykatën e Kurorës në Luton, ndërsa hetimi i zhvilluar nga autoritetet britanike zbuloi një rrjet të organizuar që vepronte përmes kompanisë imobiliare Condor Estates.
Hetimi, pjesë e operacionit “Costello”, evidentoi lidhje me kultivimin e kanabisit, përdorimin e kontratave të falsifikuara të qirave, blerjen e pajisjeve hidroponike dhe pastrimin e parave.
Në vitin 2024, autoritetet britanike ndërmorën kontrolle në 20 prona, 19 prej tyre në Luton dhe një në Milton Keynes. Në 19 nga 20 pronat u zbuluan ambiente të përdorura për kultivimin e kanabisit, ndërsa në pronën tjetër u gjetën pajisje për kultivim.
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 2 mijë bimë kanabisi, me një vlerë të përllogaritur deri në 800 mijë paund. Sipas autoriteteve, nëse plantacionet nuk do të zbuloheshin, prodhimi i tyre mund të gjeneronte kanabis me një vlerë në treg prej më shumë se 2 milionë paundësh brenda 12 muajve.
Drejtori i agjencisë në krye të rrjetit
Në qendër të skemës ishte Sarfraz Farooq, 46 vjeç, drejtori i agjencisë imobiliare Condor Estates. Sipas hetimeve, Farooq ishte përgjegjës për një numër të konsiderueshëm dokumentesh të falsifikuara, përfshirë kontrata qiraje të rreme për pronat që më pas përdoreshin për kultivimin e kanabisit.
Pronat u përkisnin pronarëve që ia kishin besuar agjencisë administrimin dhe dhënien me qira të tyre. Pronarët, sipas autoriteteve, besonin se po lidhnin kontrata të ligjshme dhe merrnin pagesa qiraje, ndërsa banesat në të vërtetë përdoreshin për aktivitet kriminal.
Farooq, me banim në St Catherines Avenue në Luton, u dënua me 8 vite e 4 muaj burg për rolin e tij në komplotin për kultivimin e kanabisit dhe aktivitetet e lidhura me mashtrimin. Ai është ndaluar gjithashtu të ushtrojë funksionin e drejtorit të një kompanie për 10 vite.
Pajisjet hidroponike dhe ndërhyrjet në energji
Një rol qendror në ngritjen e plantacioneve kishte edhe shqiptari Uan Gogu, 42 vjeç, i cili përdorte pronat e lidhura me Farooq dhe organizonte instalimin e pajisjeve hidroponike të nevojshme për kultivimin e kanabisit.
Sipas hetimeve, Gogu ishte përfshirë edhe në manipulimin e matësve të energjisë elektrike, duke krijuar rrezik serioz për sigurinë. Në tri prej pronave ku vepronte rrjeti, këto ndërhyrje u lidhën edhe me shpërthimin e zjarreve.
Gogu, me banim në Ashcroft Road në Luton, u dënua me 6 vite e gjysmë burg për veprat e lidhura me komplotin dhe posedimin në kuadër të plantacioneve të kanabisit.
Pesë persona para drejtësisë
Në rrjet ishin përfshirë edhe persona të tjerë me role të ndryshme.
Zohaib Riaz Ali, 33 vjeç, ndihmoi aktivitetin përmes blerjes së pajisjeve hidroponike. Ai u dënua me 4 muaj burg, të pezulluar për 12 muaj, për nxitje të qëllimshme të veprës penale.
Shqiptari Glentjan Sefaj, 29 vjeç, nga Hornchurch, u dënua me 8 muaj burg, të pezulluar për 18 muaj, për rolin e tij në komplot.
Ndërkohë, Mohammed Farooq, 76 vjeç, bleu me para në dorë një pronë që më vonë rezultoi se përdorej si plantacion kanabisi. Ai u dënua me 9 muaj burg, të pezulluar për 12 muaj, për rolin e tij në pastrimin e parave.
Autoritetet: Rrjeti vepronte në shkallë industriale
Autoritetet britanike e kanë cilësuar operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar në qarkun ku vepronte rrjeti.
Hetuesit theksuan se pas shpërndarjes së drogës në rrugë qëndrojnë shpesh rrjete më të gjera kriminale, ku individë të ndryshëm kanë role të përcaktuara, nga sigurimi i pronave dhe falsifikimi i dokumenteve, deri te blerja e pajisjeve dhe mirëmbajtja e ambienteve të kultivimit.
Sipas autoriteteve, pasojat e këtyre plantacioneve nuk lidhen vetëm me kultivimin e kanabisit. Pronat e përdorura nga rrjeti u përkisnin pronarëve të ligjshëm, të cilët në disa raste mbetën me banesat e dëmtuara dhe në gjendje të keqe.
Operacioni “Costello” vijon të synojë goditjen e të gjithë hallkave të rrjeteve të krimit të organizuar, përfshirë edhe personat që mundësojnë aktivitetin kriminal kundrejt përfitimit financiar.


