Takimi në Berat për Territorialen / Debate mes kryeministrit, kryebashkiakut të Poliçanit dhe Egla Cenos, Rama: Qepeni gojën!

Takimi i Kryeministrit Edi Rama në Berat është shoqëruar me debate të ashpra mes tij dhe një përfaqësie qytetarësh, të ardhur nga qytetit i Poliçanit, mes tyre edhe aktorja Egla Ceno.
Takimi i Ramës është zhvilluar në ambientet e brendshme të Hotel Colombo në Berat, ku mësohet se mbledhja për Reformën Territoriale ka nisur me një diskutim të bërë nga Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo.
Mësohet se pas fjalës së ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kanë ndërhyrë përfaqësues të ardhur nga Poliçani, mes tyre kryebashkiaku socialist Adriatik Zotkaj dhe aktorja Egla Ceno.
Debati është përshkallëzuar gjatë diskutimeve, ndërsa Rama, në një moment, u është drejtuar banorëve me fjalët: “Qepeni gojën”.
Kjo deklaratë ka shkaktuar irritim te përfaqësuesit e Poliçanit dhe ka sjellë një përplasje verbale mes kryeministrit, kryebashkiakut Adriatik Zotkaj dhe aktores Egla Ceno.
Situata ka vijuar me debate në sallë, ndërsa përfaqësuesit e Poliçanit kanë vendosur të largohen nga mbledhja në shenjë proteste.


