Izraeli sulmon sërish Libanin, 39 viktima mes tyre dhe fëmijë

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në jug të Libanit gjatë 24 orëve të fundit, sipas autoriteteve libaneze të shëndetësisë. Mes viktimave raportohet se ka edhe fëmijë, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sulmi më i rëndë është regjistruar në qytetin jugor të Saksakiyeh, ku të paktën shtatë persona u vranë, përfshirë edhe një vajzë të mitur. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, 15 persona të tjerë u plagosën, mes tyre tre fëmijë.
Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se objektiv i sulmit ishin anëtarë të grupit Hezbollah dhe një strukturë që, sipas tyre, përdorej për qëllime ushtarake. Ushtria izraelite theksoi se kishte marrë masa për të shmangur viktimat civile duke përdorur municione precize dhe mbikëqyrje ajrore.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë edhe pas armëpushimit të shpallur më 16 prill nga presidenti amerikan Donald Trump mes qeverive të Izraelit dhe Libanit.
Sipas autoriteteve izraelite, shumica e sulmeve janë përqendruar në jug të Libanit, ku pretendohet se po goditet infrastruktura dhe persona të lidhur me Hezbollahun. Ndërkohë, agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi për sulme të shumta ajrore në disa zona të jugut të vendit.


