Ish-partneri e kishte rrëmbyer dhe rrahur, telefonata e fundit e 46-vjeçares para se ta hidhte nga ura: “Çfarë po bën?

Telefonata e fundit e Lorena Itzerit, 46 vjeçe, është bërë një prej provave kryesore në hetimin e ngjarjes së rëndë në Firence, ku ajo u vra nga ish-partneri i saj, 36-vjeçari Federico Vela.
Gruaja telefonoi në numrin e emergjencës 112 pak pas orës 14:00, ndërsa ndodhej e mbyllur në bagazhin e makinës së ish-partnerit. Telefonata zgjati rreth 20 minuta dhe regjistroi momentet dramatike para tragjedisë.
“Ish-i dashuri im më rrahu dhe më rrëmbeu”, i tha Lorena policisë, duke shpjeguar se Vela e kishte sulmuar në një garazh dhe më pas e kishte futur në automjet, ku e kishte lidhur.
Ajo u përpoq t’u jepte efektivëve sa më shumë informacion për autorin.
“Është ish-i im, emri i tij është Federico, është 36 vjeç. Kam qenë në makinë për rreth dhjetë minuta”, tha ajo.
Pavarësisht situatës së rëndë, 46-vjeçarja arriti të qëndronte e qetë. Ajo u tha efektivëve se nuk e dinte se ku po e çonte ish-partneri, por dyshonte se ai po shkonte drejt banesës së tij në lagjen Galluzzo të Firences.
Telefonata kishte probleme për shkak të lëvizjes së automjetit në autostradën A1. Rreth tetë minuta pas nisjes së telefonatës, policia kuptoi se situata ishte kritike. Telefoni i Lorenës po regjistronte gjithçka që po ndodhte brenda makinës.
Në një moment, automjeti ndaloi dhe u dëgjua hapja e bagazhit. Efektivët qëndruan të heshtur, në mënyrë që të mos kuptohej prania e tyre.
Më pas u dëgjua zëri i Lorenës, e cila iu drejtua ish-partnerit të saj me fjalët: Çfarë po bën? Të dua, mos u shqetëso, do të takohemi përsëri.
Autoritetet besojnë se këto mund të kenë qenë përpjekjet e fundit të 46-vjeçares për ta qetësuar Velën dhe për ta bindur që të mos e vriste.
Sipas hetimeve, 36-vjeçari nuk e kishte pranuar ndarjen e tyre dhe në javët e fundit i kishte bërë presion përmes mesazheve.
Pak minuta pas telefonatës, Vela shkoi me makinë pranë një ure mbi autostradën A1, në Barberino del Mugello, dhe e hodhi Lorenën nga ura.
Rreth 40 minuta më vonë, pas negociatave me policinë, edhe 36-vjeçari i dha fund jetës duke u hedhur nga i njëjti vend.
Telefonata e fundit e Lorenës tashmë është një prej elementëve më të rëndësishëm të dosjes hetimore, pasi ka dokumentuar minutat dramatike para përfundimit tragjik të ngjarjes.


