Irani sulmon përsëri me dronë dhe raketa Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar për sulme të reja me raketa dhe dronë nga Iran në pjesë të ndryshme të vendit gjatë pasdites së së martës.
Sipas autoriteteve zyrtare, sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktualisht duke u përballur me sulmet që vijnë nga Irani.
Në një reagim në rrjetin social X, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve konfirmoi se zhurmat e dëgjuara në zona të ndryshme të vendit janë shkaktuar nga operacionet për përgjimin e raketave balistike, raketave lundruese dhe dronëve.
Një ditë më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se katër dronë iranianë ishin nisur drejt territorit të tyre, por asnjëri nuk goditi objektivat pasi tre u rrëzuan dhe një tjetër ra në det.
Pak më vonë, mediat raportuan për një zjarr të madh në një objekt nafte në Fujairah pas një sulmi me dron.
Sipas raportimeve, tre shtetas indianë mbetën të plagosur dhe ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.


