PAMJET/ Gaz lotsjellës, ujë me piper dhe vezë! Kaos te Kuvendi, ç’po ndodh në protestën e 54

Protesta e 54-t qytetare para Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione të forta, përplasje me Policinë e Shtetit, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me piper dhe autobotëve me ujë, ndërsa nuk munguan edhe hedhja e vezëve, dhe bidonëve drejt efektivëve dhe automjeteve zyrtare.
Qytetarët u mblodhën që në orët e para të mëngjesit para godinës së Kuvendit, në të njëjtën ditë kur zhvillohej seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.
Me pankarta në duar dhe thirrje si “Parlamenti i krimit”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni!”, protestuesit marshuan drejt Parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës së vjetër politike.

Përpara nisjes së protestës, Policia e Shtetit kishte marrë masa të shtuara sigurie, duke rrethuar të gjithë perimetrin e Kuvendit me gardhe metalike dhe forca të shumta policore. Në kryqëzimin pranë Xhamisë së Namazgjasë u lejua kalimi vetëm i deputetëve, ndërsa qytetarëve iu ndalua hyrja drejt Parlamentit. Në terren u vendosën edhe efektivë të FNSH-së dhe disa automjete të kësaj force.
Bllokimi i hyrjeve solli edhe momentet e para të tensionit. Disa qytetarë debatuan me efektivët e policisë, pasi nuk u lejuan të kalonin drejt zonës ku po zhvillohej protesta.

Pak më vonë situata u përshkallëzua. Protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur para Kuvendit dhe tentuan të çanin perimetrin e sigurisë për t’iu afruar hyrjes së Parlamentit.
Pas përplasjes së parë me policinë, një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt kryqëzimit të Unazës, në afërsi të Rrugës së Elbasanit, ku tentuan të bllokonin qarkullimin, pasi nuk u lejuan të afroheshin pranë godinës së Kuvendit. Protestuesit larguan dy gardhe metalike, ndërsa policia ngriti një tjetër barrierë sigurie për të penguar avancimin e tyre.
Në përpjekje për të shpërndarë turmën, Policia e Shtetit përdori autobotët me ujë, spraj me piper dhe gaz lotsjellës. Përdorimi i mjeteve për shpërndarjen e protestuesve solli reagimin e tyre, të cilët hodhën vezë, domate dhe bidonë me ujë në drejtim të efektivëve të policisë.

Disa prej tyre janë transportuar drejt ambulancës për ndihmën e shpejtë mjekësore.