Helmoi për vdekje njerëzit e ish-burrit me kërpudha, nis apeli i gruas së dënuar me burgim të përjetshëm

Në Gjykatën e Lartë të Viktorias në Australi nis këtë javë shqyrtimi i apelit të Erin Patterson, e cila është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e tre të afërmve të saj me kërpudha helmuese.
51-vjeçarja nuk pritet të jetë fizikisht në sallën e gjyqit, por do ta ndjekë procesin përmes videolidhjes nga burgu. Vitin e kaluar, Patterson u shpall fajtore për tre vrasje dhe një tentativë vrasjeje, ndërsa në shtator u dënua me burgim të përjetshëm.
Viktimat ishin prindërit e bashkëshortit të saj të ndarë, të dy 70 vjeç, si dhe motra 66-vjeçare e vjehrrës së saj. Bashkëshorti i kësaj të fundit mbijetoi, por qëndroi i shtruar në spital për disa javë në gjendje të rëndë.
Prokuroria pretendoi se viktimat pësuan një vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme pasi konsumuan një vakt me mish të përgatitur në stilin “Wellington”, ku ishin përdorur kërpudha helmuese “death cap”.
Patterson ka mohuar gjithmonë akuzat. Në nëntor të vitit të kaluar ajo apeloi vendimin, duke argumentuar se gjyqi nuk ishte i drejtë. Ndërkohë, edhe prokurorët kanë apeluar dënimin, duke kërkuar që të hiqet periudha prej 33 vitesh para se ajo të ketë të drejtë të kërkojë lirimin me kusht.
Seanca e apelit në Melburn do të zgjasë dy ditë. Nëse Patterson fiton apelin, dënimet mund të anulohen dhe gjykata mund të urdhërojë një gjyq të ri ose, në raste të rralla, ta shpallë të pafajshme. Nëse fitojnë prokurorët, ajo mund të përballet me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.


