Zjarret në Shqipëri, 8 vatra aktive/ Ministria e Mbrojtjes publikon bilancin

Aktualitet

Zjarret në Shqipëri, 8 vatra aktive/ Ministria e Mbrojtjes publikon

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një perditësim të fundit lidhur me situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit në vend. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se janë raportuar 43 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Në njoftim bëhet me dije se në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren po operojnë 120 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Malin e Dajtit po vijon puna për shuarjen e zjarrit. Operacioni është mbështetur nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Në Vakumone, Shëngjergj mësohet se vatra mbetet aktive. Në ndërhyrje janë përfshirë MZSH, vullnetarë dhe strukturat e Njësisë Administrative Shëngjergj. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Gurë-Lurë, Dibër po vijon një nga operacionet më të mëdha. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmes, Dibër janë angazhuar 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për banesat.

Në Abaze, Krujë zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.

Në Lufaj dhe Thari, Mirditë vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse. Në Thari është evidentuar një vatër e re, ku janë nisur ekipet e MZSH dhe është dërguar në mbështetje 1 helikopter.

Në Fushë-Lajë po vijon puna në terren të thyer, ndërsa në Rrjoll, për shkak të terrenit të paarritshëm, situata po monitorohet nga afër dhe është përdorur edhe dron për evidentimin e shtrirjes së vatrës.

Në Dardhë, Librazhd, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vijojnë punën për shuarjen e vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. KMC, përmes QKOEC, vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

ME TE LEXUARAT