Jared Kushner takim me presidentin e Egjiptit, plani i Trump për Gazën në qendër të vëmendjes

Jared Kushner, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump dhe dhëndri i tij, zhvilloi të dielën bisedime në El Alamein me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, me fokus zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
Sipas presidencës egjiptiane, gjatë takimit u nënvizua nevoja që të gjitha palët të respektojnë detyrimet e tyre në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit.
Më herët, një delegacion i Hamasit, i drejtuar nga Khalil al-Hayya, u takua në El Alamein me kreun e shërbimeve egjiptiane të Inteligjencës, Hassan Rashad. Bisedimet u përqendruan te mënyrat për avancimin e planit amerikan të paqes për Gazën.
Një zyrtar i Hamasit deklaroi se delegacioni po diskuton përpjekjet për të bindur Izraelin të respektojë marrëveshjen, e cila përfshin një udhërrëfyes me 15 pika dhe synon nisjen e fazës së dytë të planit amerikan për Gazën.
Sipas burimit, Hamasi pritet gjithashtu t’i paraqesë palës egjiptiane pretendimet e tij për shkelje të armëpushimit nga Izraeli.
Hamasi kishte dhënë në fund të korrikut miratimin për udhërrëfyesin amerikan, i cili parashikon ndër të tjera çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar planin, duke kërkuar atë që e cilësoi si “çarmatim real të Hamasit”.
Ndërkohë, Jared Kushner pritet të vizitojë Izraelin javën e ardhshme në përpjekje për të zbutur mosmarrëveshjet mes palëve.
Një burim i Hamasit tha se vijojnë kontaktet dhe bisedimet me ndërmjetësit egjiptianë, katariotë dhe turq, me synimin për të bindur Izraelin të respektojë marrëveshjen e armëpushimit.


