Europa në flakë, mijëra njerëz evakuohen nga zjarret. Spanja shpall gjendjen e emergjencës, Franca kërkon ndihmë nga BE

Dhjetëra mijëra europianë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen në Spanjë, Francë dhe Itali, në prag të një vale të re të nxehti që pritet të çojë temperaturat deri në 40 gradë Celsius në disa zona.
Spanja shpalli gjendjen e emergjencës në rajonin e Madridit dhe në provincën Avila, për të përshpejtuar ndërhyrjen ndaj disa zjarreve që mbeten jashtë kontrollit. Rreth 10 mijë persona janë evakuuar, ndërsa drejtimin e operacionit e ka marrë njësia ushtarake e emergjencave, e specializuar për fatkeqësitë natyrore.
Kryeministri Pedro Sanchez tha se qeveria ka angazhuar të gjitha burimet e disponueshme për të luftuar flakët në Avila, Leon, Toledo, Madrid dhe zona të tjera të vendit. Ai vizitoi gjithashtu një zonë të goditur nga zjarret në Guadalajara, ku mbi 30 fshatra janë evakuuar. "Vit pas viti po e shohim qartë se ndryshimet klimatike vrasin dhe shkatërrojnë pasurinë e komuniteteve tona. Kjo nuk është politikë, është shkencë dhe janë fakte", deklaroi Sanchez.
Në Francë, presidenti Emmanuel Macron njoftoi se vendi ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile të Bashkimit Europian për të kërkuar ndihmë. Sipas tij, Franca do të mbështetet nga dy avionë zjarrfikës kroatë, dy avionë portugezë Air Tractor dhe dy helikopterë të rëndë Black Hawk nga Republika Çeke dhe Sllovakia.
Autoritetet franceze evakuuan edhe 7 mijë persona pranë Cap Ferret, duke e çuar në 12 mijë numrin e të larguarve nga zona turistike e Gjirit të Arcachon. Deri tani, zjarret kanë përfshirë rreth 2 mijë hektarë tokë.
Edhe Italia vazhdon të përballet me situatë të vështirë. Në Siçili janë angazhuar rreth 6 mijë zjarrfikës, roje pyjore dhe punonjës të mbrojtjes civile, ndërsa rreth 50 vatra zjarri mbeten ende aktive. Në Kalabri janë regjistruar mbi 160 zjarre, ndërsa autoritetet lokale akuzojnë persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas tyre, janë gjetur copa lecke të lyera me lëndë të ndezshme, të lidhura në bishtat e maceve endacake për të përhapur flakët.
Sipas të dhënave për vitin 2026, zjarret kanë djegur më shumë sipërfaqe në Europë sesa mesatarja vjetore e dy dekadave të fundit. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit dhe zjarret pyjore gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rënda.


