Dy shpërthime trondisin Spanjën, një i vdekur dhe tre të plagosur! Dyshimet e para

Një person është vrarë dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur rëndë pas një shpërthimi të madh që tronditi një bar në Spanjë.
Sipas autoriteteve, shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 17:20, duke shkaktuar valë tronditjeje përgjatë rrugës dhe duke lënë pas shkatërrime në barë, ndërsa shpërthimi tjetër ndodhi në garazhin ngjitur.
Ngjarja ndodhi në barin La Posada, pranë ringut të demave në Almeria, në jug-lindje të vendit.
Nga raportimet pretendohet se personi i vrarë është një kalimtar që po kalonte rastësisht pranë barit kur ndodhi shpërthimi.
Ekipet e emergjencës u nisën menjëherë në vendngjarje ndërsa xhamat e thyer dhe rrënojat mbuluan rrugën. Disa makina të parkuara pranë u dëmtuan rëndë nga fuqia e shpërthimit.
Shkaku ende nuk është konfirmuar, por raportet e hershme sugjerojnë se mund të ketë qenë një shpërthim gazi.
“Dy shpërthime që ndodhën këtë pasdite në një kafene në qendër të qytetit Almeria kanë lënë një person të vdekur dhe tre të tjerë të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:20, në një bar në Calle Alfarerias, në qendër të qytetit. Ne morëm shumë raportime për një shpërthim, që mund të jetë shkaktuar nga gazi, i cili shkaktoi zjarr në ambientet e barit dhe rrëzoi pjesërisht fasadën”,tha zëdhënës i qendrës rajonale.
“Shërbimet e emergjencës kanë konfirmuar se ka pasur dy shpërthime, një në kafene dhe një tjetër në garazhin ngjitur, të mundshme shkaktuar nga gazi”, ka shtuar ai.
Zyrtarët konfirmuan se një person humbi jetën nga shpërthimi, megjithëse identiteti i tij ende nuk është bërë publik. Tre të tjerë u plagosën dhe u dërguan për trajtim.
“Dy nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin Torrecardenas, njëri në gjendje serioze për shkak të djegieve dhe tjetri me lëndime të lehta nga thithja e tymit. Personi i tretë u dërgua në qendrën shëndetësore këtu pranë, gjendja e të cilit nuk dihet”, tha zëdhënësi.
Policia ka bllokuar rrugën rreth barit ndërsa hetuesit punojnë për të përcaktuar saktësisht shkakun e shpërthimit vdekjeprurës.


