Dështimi i negociatave/ Zyrtari i lartë iranian paralajmëron rifillim të mundshëm të konfliktit

Një zyrtar i lartë ushtarak iranian ka deklaruar se një konflikt i ri me Shtetet e Bashkuara mbetet “i mundshëm”, pas refuzimit nga presidenti Donald Trump të propozimit të fundit për paqe të paraqitur nga Teherani.
Megjithëse aktualisht mes palëve është në fuqi një armëpushim, tensionet vijojnë të mbeten të larta. Të premten, Trump u shpreh se SHBA mund të jetë “më mirë” edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane kanë përsëritur qëndrimin e vendit lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, duke sinjalizuar se Teherani nuk do të ndryshojë politikën e tij në këtë pikë strategjike.
Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Thesarit paralajmëroi kompanitë e transportit detar se mund të përballen me sanksione nëse paguajnë tarifa për kalim të sigurt në këtë rrugë ujore.
Tensionet në Hormuz kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe pasiguri në transportin ndërkombëtar detar.


