"Mafia e fjalës ...", AGSH pas deklaratave të Berishës ndaj mediave: Dënojmë gjuhën e përdorur nga kreu i PD

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj mediave dhe gazetarëve, duke i cilësuar si të papranueshme dhe të dëmshme për lirinë e shtypit.
Në reagimin zyrtar, AGSH shprehet se etiketimet ndaj mediave, pronarëve të tyre dhe gazetarëve krijojnë klimë presioni dhe cenojnë rolin e medias në një shoqëri demokratike.
Sipas asociacionit, kritika ndaj punës së medias është e ligjshme, por ajo nuk duhet të kalojë në sulme të përgjithësuara, gjuhë fyese apo tentativa për intimidim publik të redaksive dhe reporterëve.
AGSH thekson se figurat politike kanë përgjegjësi më të madhe në komunikimin publik dhe duhet të shmangin deklarata që nxisin mosbesim, armiqësi apo presion ndaj gazetarëve.
Në fund, asociacioni kërkon që problematikat reale të medias në vend të trajtohen përmes debatit të përgjegjshëm, transparencës dhe standardeve profesionale, jo përmes retorikës denigruese.
Deklarata e AGSH:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon gjuhën e përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj mediave, pronarëve të mediave, gazetarëve dhe hapësirës mediatike në tërësi, gjatë komunikimit të tij publik me qytetarët të shtunën.
Etiketimet si “mafia e fjalës së lirë”, “pronarë mafiozë mediash”, “vrasës të të vërtetave”, “shërbëtorë të përulur” apo çdo formulim tjetër që synon të delegjitimojë median për shkak të linjës editoriale, qëndrimeve kritike apo hapësirës që u jep aktorëve të ndryshëm publikë, janë të papranueshme dhe të dëmshme për klimën e lirisë së shtypit në vend.
AGSH thekson se kritika ndaj medias është legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk mund të shndërrohet në gjuhë linçuese, intimidim publik apo sulm të përgjithësuar ndaj gazetarëve dhe redaksive. Politikanët, veçanërisht ata që mbajnë funksione të larta publike ose drejtojnë parti politike, kanë përgjegjësi të shtuar për të shmangur gjuhën që nxit armiqësi, presion apo mosbesim të organizuar ndaj medias.
Media në Shqipëri ka probleme reale që lidhen me pronësinë, transparencën, presionin politik dhe ekonomik, por këto çështje duhet të trajtohen përmes debatit të përgjegjshëm publik, mekanizmave ligjorë, vetërregullimit dhe standardeve profesionale, jo përmes sulmeve denigruese që rrezikojnë të vendosin gazetarët në shënjestër.


