Trump riktheu tarifat doganore 25% për makinat nga BE, reagon Parlamenti Europian: E papranueshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rindezur tensionet tregtare me Bashkimin Europian, duke paralajmëruar tarifa të reja prej 25% për makinat dhe kamionët që importohen në SHBA.
Në një postim në rrjetin social Truth, Trump akuzoi BE-në se nuk po respekton marrëveshjen tregtare mes palëve dhe tha se masa e re do të hyjë në fuqi javën e ardhshme. Ai shtoi se kompanitë që prodhojnë automjete brenda territorit amerikan nuk do të përballen me tarifa.
Reagimi nga Europa ishte i menjëhershëm. Kreu i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin Europian, Bernd Lange, hodhi poshtë akuzat e presidentit amerikan dhe e cilësoi sjelljen e administratës së tij si të papranueshme.
Tarifat e reja pritet të godasin veçanërisht industrinë automobilistike europiane, sidomos prodhuesit gjermanë si Volkswagen, BMW, Mercedes-Benz dhe grupe të tjera të mëdha që eksportojnë në tregun amerikan.
Ekspertët paralajmërojnë se masa mund të rrisë çmimet për konsumatorët në SHBA, të ulë fitimet e kompanive dhe të hapë një fazë të re të luftës tregtare mes Uashingtonit dhe Brukselit.
Lëvizja vjen në një moment delikat për ekonominë globale, ndërsa tregjet po përballen me pasiguritë nga tensionet gjeopolitike dhe rritjen e kostove energjetike.


