Si u rrëmbye Nertil Buzi në Britaninë e Madhe? Pengmarrja 12-ditore që tronditi komunitetin shqiptar në Angli

Nertil Buzi ishte protagonist i një prej rasteve më të rënda të pengmarrjes mes grupeve kriminale shqiptare në Britaninë e Madhe gjatë vitit 2022.
Sipas raportimeve të mediave britanike dhe dokumenteve gjyqësore, ai u mbajt peng për 12 ditë, u torturua dhe familjes së tij iu kërkuan 400 mijë paund në këmbim të lirimit.
Ngjarja nisi në fund të shtatorit 2022, kur Buzi u bind të shkonte në një hotel në Lindjen e Londrës për një takim me disa shqiptarë, me pretekstin e zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje.
Sipas hetimeve, takimi rezultoi të ishte një kurth.
Menjëherë pasi hyri në hotel, ai u rrëmbye dhe u mbajt i izoluar nga një grup bashkatdhetarësh.
Sipas mediave britanike, pengmarrësit e torturuan vazhdimisht dhe i dërgonin familjes së tij fotografi dhe video të dhunës, duke kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk paguhej shuma prej 400 mijë paundësh.
Po sipas këtyre mediave viktima mbahej në një pronë në Lindjen e Londrës, ndërsa autorët përdornin telefonin e tij për të kontaktuar familjarët dhe për të ushtruar presion psikologjik për pagesën e shpërblimit.
Sipas raportimeve, ishte vëllai i Nertil Buzit në Shqipëri ai që denoncoi pengmarrjen pranë Policisë së Shtetit.
Më pas u aktivizua një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit shqiptar, policisë britanike dhe National Crime Agency (NCA), i cili çoi në lokalizimin e vendit ku mbahej, Buzi atëherë 30-vjeç.
Operacioni përfundoi me lirimin e Buzit pak përpara skadimit të ultimatumit të vendosur nga pengmarrësit.
Ai u dërgua në spital nën mbrojtjen e policisë, pasi kishte pësuar dëmtime të shumta fizike si pasojë e torturave.
Pas ndërhyrjes së policisë britanike u arrestuan disa shtetas shqiptarë, të cilët u akuzuan për rrëmbim, burgosje të paligjshme dhe kërcënim për vrasje.
Nelid Arapi, 26 vjeç, banues në Haringey, Londër, akuzohej për rrëmbim personi, burgosje të rreme, posedim me qëllim shitjeje të lëndës narkotike kanabis dhe kërcënim për të vrarë.
Njohur me pseudonimin “Kid Vlonjati”, me precedentë penalë në Shqipëri prej moshës 19 vjeç.
Xhon Guveli, 28 vjeç, akuzohej për rrëmbim personi, burgosje të rreme.
Fation Arapi, 27 vjeç, banues në Peterborough, akuzohej për rrëmbim personi, burgosje të rreme.
Armando Brahashaj, 26 vjeç, banues në Brent, Londër, akuzohej për rrëmbim personi, burgosje të rreme.
Eduart Çepele, 30 vjeç, banues në Manchester, akuzohej për rrëmbim personi, burgosje të rreme.
Emanuela Arapi, 28 vjeçe, banuese në Barrington Street, Manchester, akuzohej për burgosje të rreme.
Dy vite pasi të gjashtë të arrestuarit do të dilnin në Harrow Crown Court, prokuroria u tërhoq nga akuzat për pengmarrje, burgosje të rreme dhe kërcënim për të vrarë ndaj të pestëve.
Pesë prej tyre u liruan automatikisht nga salla e gjyqit, ndërsa më 15 prill 2024, Harrow Crown Court dënoi Nelid Arapin me 16 muaj burg për posedim kanabisi me qëllim shitjeje.
Sipas raportimeve të kohës, motivi i pengmarrjes dyshohej të lidhej me konflikte mes grupeve kriminale shqiptare për aktivitetin e kultivimit të kanabisit në Britaninë e Madhe dhe mosmarrëveshje financiare që lidhnin palët.
Edhe pse Buzi nuk rezultonte me precedentë penalë në Shqipëri, hetuesit britanikë dyshonin se ai kishte lidhje me aktivitetin e "shtëpive të barit" në Angli


