Ish-ministrja Meksi i përgjigjet Ramës: Besa nuk fitohet me slogane, por me qeverisje që jep llogari

Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar ndaj platformës “Besa”, të prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, duke vënë theksin te rëndësia e besueshmërisë së qeverisjes dhe jo e simbolikës politike.
Përmes një mesazhi publik, Meksi argumenton se besimi i qytetarëve ndërtohet mbi funksionimin e institucioneve, përmbushjen e angazhimeve dhe përgjegjshmërinë e qeverisë, e jo mbi premtime apo koncepte të reja.
“Besa: standardi moral i besueshmërisë së qeverisjes”, shkruan ajo, duke e cilësuar besën si një vlerë që duhet të reflektohet në mënyrën se si ushtrohet pushteti.
Sipas Meksit, në një demokraci qytetarët nuk binden nga retorika, por nga rezultatet konkrete dhe transparenca në qeverisje.
“Në demokraci, besimi nuk ndërtohet me simbolikë, por me institucione që funksionojnë, rezultate të prekshme dhe llogaridhënie, të cilat janë themeli i besueshmërisë së qeverisjes”, thekson ajo.

Ish-ministrja shton se “Besa” nuk mund të kufizohet në një premtim për të ardhmen, por duhet të matet me atë që është realizuar deri më tani dhe me përgjegjësinë për angazhimet e marra.
“Besa nuk është thjesht një zotim për atë që do të bëhet. Ajo vlerësohet përmes përmbushjes së premtimeve, funksionimit të institucioneve dhe llogaridhënies, mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve te qeverisja”, shprehet Meksi.


