Batutat e Kryemadhit nga SPAK: Si nuk i fiku njeri radarët për mua!

Ish-kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zgjedhur ta kalojë me humor dhe batuta dështimin e seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme, pasi një nga anëtarët e trupit gjykues mungoi, ndërsa vëmendje mori edhe ngjarja e javës; akuza ndaj Vlora Hysenit.
E pyetur nga gazetarët, ajo tha se për të nuk i ka fikur njeri radarët, duke ju referuar mesazheve që ish-kryespiunia Vlora Hyseni shkëmbente me Ergys Agasin, ndërsa shtoi se Ilir Meta që dikur ishte bashkëshorti i saj, i ndizte radarët se kishte hallin e Shqipërisë, jo të dashurisë.
Gazetarja Anila Hoxha: Pse the që je e zhgënjyer për pjesën e fikjes së radarëve?
Monika Kryemadhi: Se si nuk i fiku njeri për dashurinë për mua radarët… tani nuk i hyj më në punë njeriu, nuk fik njeri radar. Ahuuu s’ka kohë më. Vlora ishte beqare, moj motër, unë jam me tre kalamaj.
Gazetarja Anila Hoxha: Po fajëson ish-bashkëshortin?
Monika Kryemadhi: Ish-bashkëshorti i ndizte radarët se kishte hallin e Shqipërisë, të Kushtetutës, e mbani mend si e puthte Kushtetutën?
Ish-kryetarja e LSI ka folur edhe për raportin e saj me ish-bashkëshortin Ilir Meta, duke deklaruar se "me Metën nuk jam pajtuar dhe nuk pajtohem.
Jeta vazhdon." Lidhur me akuzat e SPAK, ajo theksoi se kryeministri Edi Rama është personi që ka firmosur.


