“Zvërneci”/ “Nuk ka dialog, vetëm dorëheqje!”, protestuesit ovacione e brohorima nga sheshi Skënderbej: Revolucion!

Ka nisur këtë të enjte protesta e pestë radhazi e qytetarëve kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Qytetarë, aktivistë të mjedisit dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë për të kundërshtuar projektin që, sipas tyre, rrezikon një nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe ekologjike të vendit.
“Nuk ka dialog, vetëm dorëheqje!”, “Zvërneci nuk preket!” dhe “Revolucion!” ishin disa nga thirrjet dhe brohorimat që u dëgjuan nga protestuesit gjatë grumbullimit në qendër të Tiranës.
Organizatorët e protestës kanë zgjedhur si slogan të tubimit të sotëm moton: “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, duke theksuar se kundërshtimi ndaj projektit do të vazhdojë derisa autoritetet të tërhiqen nga planet për zhvillimin turistik në zonën e mbrojtur.


