Mbyllet pas më shumë se tre orësh dita e pestë e protestës, zbardhen 5 kërkesat e “grupit nismëtar”

Qytetarët janë mbledhur për të pestën ditë radhazi përpara Kryeministrisë në kundërshtim të projektit në Zvërnec, duke zhvilluar një protestë që zgjati më shumë se tre orë dhe u shoqërua me thirrje kundër qeverisë.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë me flamuj dhe pankarta në duar. Gjatë tubimit, ata theksuan se protesta është qytetare dhe e pavarur nga partitë politike.
Nga podiumi u lexua një deklaratë në emër të organizatorëve, ku u prezantuan pesë kërkesa të cilësuara si të panegociueshme: dorëheqja e qeverisë, shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimi i Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe atë për Trashëgiminë Kulturore.
Gjatë protestës, në shkallët e Kryeministrisë u vendos edhe një fotografi e efektivit të policisë Enea Mekolli, i cili humbi jetën në Maliq gjatë një operacioni policor. Fotoja shoqërohej me mesazhin: “Sot protestoj për Enean, që u vra nga shteti”.
Në tubim mori pjesë edhe Engjëll Cani, babai i të ndjerit Martin Cani, i cili iu bashkua protestuesve që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.
Organizatorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre.

Paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të lirisë dhe interesit kombëtar.
1-Dorëheqjen e qeverisë
2-Shfyqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë!
3-Shfryqizimin e Paketë së Maleve
4-Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
5-Anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare”, tha protestuesi.
Pankarta mban sloganin: “Nuk ka negociata, kërkesat janë të qarta”, duke reflektuar qëndrimin e protestuesve përballë institucioneve dhe kërkesën e tyre për marrjen e masave konkrete mbi pikat e listuara.


