Zjarret në vend/ Reagon Presidenti i Republikës, apelon autoritetet të ndëshkojë keqbërësit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për situatën e zjarreve në disa zona të vendit, duke shprehur mirënjohjen për zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po përballen me flakët.
Në mesazhin e kreut të shtetit thuhet se keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.
“Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë.
Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona. Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë. Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.
Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën. Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve”, tha Begaj.


