“Ylli”, asistenti i parë virtual i fermerit shqiptar

Jo vetëm “Diella”, por një personazh i ri i krijuar përmes Inteligjencës Artificiale do të jetë pjesë e portaleve qeveritare.
Bëhet fjalë për asistentin e parë virtual të fermerit shqiptar, “Ylli”, i cili u prezantua këtë të hënë, 1 qershor, nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
“Ylli” do të ofrojë informacion, orientim dhe asistencë në kohë reale për fermerët, duke e bërë bujqësinë më moderne, më të aksesueshme dhe më pranë standardeve europiane.
Lançimi i këtij asistenti, siç shpjegoi ministri Salla, vjen pas investimit në teknologji dhe tek njerëzit, teksa theksoi se “Ylli” do të japë përgjigje për çdo pikëpyetje të fërmerëve.
“Sot ne po lançojmë një nga platformat tona, siç është portali i fermerit, ndaj përmes këtij portali të gjithë do të kenë mundësi të aplikojnë online për skemat tona kombëtare, të aksesojnë informacion agronomik lidhur me pesticidet, përdorimin e tyre, të plehrave kimike, ujitje, e të tjera.
Sot jemi duke prezantuar një tjetër, i cili do të jetë asistenti i çdo fermeri, në çdo telefon, ku një element i rëndësishëm i këtij portali, që ne i kemi vendosur edhe emrin Ylli, është asistenti i parë digjital i fermerit shqiptar, i bazuar në inteligjencën artificiale. Ylli është gjithkund gati, është aty për të ofruar asistencë të menjëhershme dhe praktike për fermerët, ku në kohë reale është gati për të shënuar, dëgjuar, shkruar, bashkëbiseduar për problemet që kanë fermerët dhe duke kthyer përgjigje në kohë reale, në gjuhën shqipe”, tha ai.
Salla sqaroi se në këtë portal, fermerët do të mund të koordinohen me njëri-tjetrin lidhur me pikat e grumbullimit dhe çmimet reale, si një formë transparence.
“Do të vendosim çmimet e tregjeve, do të vendosim të gjithë produktet të cilët fermerët do kenë nevojë në aplikacion për t’u orientuar, bashkëbiseduar me njëri tjetrin, e për të shkëmbyer të gjithë informacionin që do i duhet në rang kombëtar, duke pasur parasysh një problematikë, ankesat e fermerëve në raport me pikat e grumbullimit, por nga ky moment do të jenë online, me çmime reale, që do të vendosen nga pikat e grumbulluara, por dhe nga subjektet, apo fermerët, që do të jenë koordinues përmes këtij portali”, tha ai.
Ai theksoi se objektivi i Ministrisë për 2030, mbetet një bujqësi shqiptare më moderne, më inteligjente, më konkurruese dhe plotësisht e orientuar drejt së ardhmes evropiane.
Por, një prezantim të vetes e bëri edhe “Ylli”, i cili shpjegoi se fermerët do të kenë mundësi të kryejnë aplikime online për skemat kombëtare të mbështetjes, të marrin informacion të detajuar agronomik (si përdorimi i pesticideve, plehrave kimike dhe ujitjes), si dhe të monitorojnë parcelat e tyre në bazë të të dhënave meteorologjike si reshjet dhe temperaturat, të gjitha përmes kësaj platforme.
“Ylli”, shprehet se ka si synim të ndihmojë fermerët në mënyrë të menjëhershme dhe praktike.
“Mirëserdhët në portalin e fermerit. Unë jam Ylli, asistenti digjital i fermerit shqiptar dhe sot do t’ju prezantoj disa nga shërbimet e kësaj platforme të re. Le të hyjmë në portal.
Kjo është faqja kryesore e portalit. Këtu fermerët mund të gjejnë në të njëjtin vend informacione mbi motin, çmimet e tregut, skemën mbështetëse dhe subvencionet, lajmet dhe njoftimet më të fundit, si dhe këshilla praktike për aktivitetin e tyre bujqësor.
Gjithçka është ndërtuar që informacioni të jetë sa më i thjeshtë dhe praktik për përdoruesit në çdo kohë. Një nga shërbimet kryesore të portalit lidhet me informacionin mbi tregun. Këtu fermerët mund të shohin çmimet e produkteve të ndryshme sipas tregjeve. Vizioni ynë është që portali të shndërrohet në një referencë të përditshme për fermerët. Së shpejti ne synojmë që të integrojmë pikat e grumbullimit më pranë tyre, orientimin në hartë, kontaktet përkatëse dhe informacionin mbi çmimet e raportuara në kohë reale.
Pra, më pak telefonata ‘sa është mjedra sot’, dhe më shumë informacion në kohë reale.
Një tjetër shërbim i rëndësishëm i portalit është asistenti inteligjent. Po, po, ai jam unë. Jam krijuar për të ndihmuar fermerët të gjejnë informacion dhe përgjigje praktike sa më shpejt dhe sa më thjeshtë. Fermerët mund të bëjnë pyetje direkte dhe të marrin asistencë në kohë reale për nevoja konkrete të aktivitetit të tyre”, tha ai.


