Vendi ynë në qendër të vëmendjes së medieve britanike/ “The Sun”: Rritje rekord prej 293% e rezervimeve drejt Shqipërisë

Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Europë, ndërsa rezervimet për pushime janë rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Sipas një artikulli të britanikes “The Sun”, të dhënat e Thomas Cook tregojnë një rritje prej 293% të prenotimeve drejt Shqipërisë.
Media britanike e paraqet vendin si një alternativë ende relativisht të pazbuluar nga turistët britanikë, me plazhe me ujëra të kristalta, qytete historike dhe çmime të përballueshme. Tirana përmendet si një kryeqytet me pak turma, shumë ditë me diell dhe çmime të ulëta për ushqim e pije.
Në fokus është edhe Ksamili, i cilësuar shpesh si “Maldivet e Europës”, për plazhet me rërë të imët dhe ujin e pastër. “The Sun” veçon gjithashtu plazhet Lori dhe Paradise, si edhe mundësitë për bare, restorante dhe aktivitete përgjatë bregdetit.
Për turistët e interesuar për historinë dhe kulturën, artikulli rekomandon Beratin dhe Gjirokastrën, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Berati përshkruhet si “Qyteti i një mbi një dritareve”, ndërsa Gjirokastra veçohet për arkitekturën karakteristike prej guri, kalanë dhe pazarin e vjetër.
Në listën e destinacioneve përfshihen edhe Durrësi dhe Golemi. Amfiteatri i Durrësit, plazhet me rërë dhe restorantet buzë detit paraqiten si pika tërheqëse, ndërsa Golemi rekomandohet për pushime familjare dhe sporte ujore.
Sipas artikullit, Shqipëria lidhet drejtpërdrejt gjatë verës me disa qytete britanike, përfshirë Londrën, Birminghamin, Manchesterin, Edinburghun dhe Liverpoolin.


