“Mbase gënjeva”/ Neda Balluku thyen heshtjen: E vërteta e padëgjuar e martesës sime

Showbiz

“Mbase gënjeva”/ Neda Balluku thyen heshtjen: E vërteta e

Neda Balluku ka bërë një rrëfim të sinqertë në rrjetet sociale, ku ka folur hapur për jetën familjare dhe imazhin që kishte krijuar ndër vite në publik.

Ish-opinionistja e Big Brother VIP Albania 4 pranon se për një kohë të gjatë ka përcjellë një perceptim për martesën dhe familjen e saj që, sipas saj, nuk përputhej plotësisht me realitetin.

Në një postim të gjatë në Instagram, Balluku thotë se pas vitesh reflektimi ka kuptuar se imazhi që u transmetonte të tjerëve ishte pjesërisht një dëshirë e saj për të besuar se familja që kishte ëndërruar ishte ashtu siç e kishte imagjinuar.

“Mbase gënjeva. Gënjeshtrat e mia nuk ishin të errëta, por nuk ishin as të bardha”, shkruan ajo.

Balluku shpjegon se nuk kishte pasur qëllim të mashtronte publikun, por se kishte krijuar një perceptim të caktuar për jetën dhe marrëdhënien e saj, ndërsa vetë kishte nevojë të besonte në atë realitet.

“Prej vitesh, edhe pse në një formë që më shumë lija të kuptohej sesa tregoja vërtet, krijova një perceptim të gabuar publik për sesi ishte jeta ime, marrëdhënia ime dhe familja ime”, rrëfen ajo.

Ajo pranon se procesi i reflektimit i ka bërë të kuptojë se imazhi publik ishte edhe një “ëndërr dhe iluzion” i saj, si dhe një dëshirë për të besuar se kishte arritur të krijonte familjen që kishte ëndërruar.

Balluku kërkon ndjesë ndaj njerëzve që e kanë ndjekur ndër vite, duke theksuar se komunikimi me publikun duhet të jetë i sinqertë.

“Ndjej fort, tepërmi, të të kërkoj ndjesë. Komunikimi me njerëzit duhet të jetë i sinqertë, i pastër, i vërtetë”, shprehet ajo.

Ajo thotë gjithashtu se vazhdon të besojë te familja e shëndetshme dhe te një partneritet i sinqertë mes dy njerëzve që zgjedhin njëri-tjetrin çdo ditë.

“Zemra ime lëngon për këtë”, shkruan Balluku.

Në fund, ajo tregon se prej afro një viti po përballet me një realitet të ri në jetën e saj dhe pranon se nuk mund t’u kërkojë të tjerëve ta dinin të vërtetën, pasi edhe asaj vetë i janë dashur vite për ta pranuar dhe kuptuar.

“Si mund të dinë të huajt të vërtetat e mia kur mua m’u deshën vite t’i pranoja dhe kuptoja vetë?!”, përfundon ajo.

ME TE LEXUARAT