“Kam ende shumë për të jetuar”, zbulohen detaje të reja për vdekjen e aktores Hayden Panettiere

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me vdekjen e papritur të Hayden Panettiere, e cila ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare, të dielën, më 16 gusht. Sipas hetimeve paraprake të policisë, deri tani nuk ka prova që vdekja e saj të ketë ardhur si pasojë e një akti kriminal.
Siç raporton People, rreth orës 13:50 të së dielës, më 16 gusht, policia e Greenville, në Karolinën e Jugut, dhe ekipet e emergjencës morën një telefonatë për një “grua pa ndjenja”, bëri të ditur një zëdhënës i Departamentit të Policisë së Greenville.
“Pas mbërritjes në vendngjarje, iu dha ndihma mjekësore. Megjithatë, personi, i cili më vonë u identifikua si Hayden Panettiere, u konstatua i vdekur në vendngjarje. Rasti po hetohet nga Departamenti i Policisë së Greenville, në bashkëpunim me Zyrën e Mjekësisë Ligjore të Qarkut Greenville. Hetimi paraprak nuk ka zbuluar prova për ndonjë akt kriminal apo rrethana të dyshimta. Telefonata në numrin 911 u bë nga një person i afërt me Panettiere”, deklaroi zëdhënësi.
Ai theksoi gjithashtu se autoritetet nuk do të bëjnë publike detaje të tjera rreth rastit.
Vdekja e Hayden Panettiere u bë e ditur përmes një deklarate të babait të saj Alan Panettiere.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë vdekjen tragjike të Hayden tonë të dashur. Ajo ishte një dritë e jashtëzakonshme dhe një forcë e natyrës, që u dha dashuri dhe gëzim të pafund të gjithë atyre që e njihnin, si dhe miliona njerëzve që e ndiqnin në ekran”, thuhej në deklaratë.
Vetëm pak muaj para vdekjes së saj, Hayden Panettiere fliste me optimizëm për të ardhmen.
Ylli i serialeve “Heroes”, “Nashville” dhe filmave “Scream” shprehej me krenari se kishte arritur të kapërcente periudhat e vështira që kishte kaluar.
“Më në fund ndjej se kam arritur ta lë pas gjithë atë errësirë dhe negativitet. Ndjej se një kapitull ka përfunduar dhe një i ri po fillon. Shoh përpara meje shumë mundësi emocionuese. Ndjej se kam ende shumë për të jetuar”, ishte shprehur ajo në podcastin “On Purpose With Jay Shetty./mxh


