U raportuan të zhdukur, tre shqiptarë të Kosovës gjenden të pajetë në Maqedoninë e Veriut

Aktualitet

U raportuan të zhdukur, tre shqiptarë të Kosovës gjenden

Tre personat me nga Kosova, të cilët ishin raportuar të zhdukur pasi ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit në drejtim të Kosovës, janë gjetur pa shenja jete në një automjet të përmbysur në rrugën nga pikëkalimi kufitar Bllacë drejt Shkupit.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik, rreth orës 22:35, policia u njoftua për një automjet tip “Mercedes” me targa gjermane të përmbysur jashtë rrugës. Në vendngjarje mbërritën menjëherë efektivët e policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilët konstatuan se brenda automjetit ndodheshin tre persona pa shenja jete, një burrë dhe dy gra. Vdekja e tyre u konfirmua nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë.

Policia bëri të ditur se më herët, rreth orës 13:40 të së njëjtës ditë, një shtetas i Kosovës kishte denoncuar në Stacionin Policor Bit Pazar zhdukjen e tre personave. Sipas kallëzimit, kontakti i fundit me ta kishte qenë mbrëmjen e 18 korrikut, rreth orës 22:15, kur ndodheshin në Aeroportin e Shkupit.

Burime të Alsat bëjnë me dije se automjeti u gjet i përmbysur pranë kufirit me Kosovën. Dyshohet se viktimat ishin nisur nga aeroporti drejt Kosovës dhe kanë dalë nga rruga ende pa arritur në pikën kufitare.

Një ditë më parë, familjarët kishin kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tyre. Sipas njoftimit të publikuar prej tyre, personat e zhdukur ishin Ejup Ternava, Çenet Ternava dhe Fatmire Shabani. Ata udhëtonin me një automjet “Mercedes GLC” ngjyrë blu, me targa gjermane MR-DT 2025.

Autoritetet nuk kanë bërë ende publik identitetin zyrtar të viktimave, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e aksidentit fatal.

ME TE LEXUARAT