FOTO-LAJM/ Të enjten seanca e fundit plenare, protestuesit lënë shënim në bulevard datën e tubimit para Kuvendit

Aktualitet

FOTO-LAJM/ Të enjten seanca e fundit plenare, protestuesit lënë

Për të 51-ën ditë radhazi, qytetarët vijuan protestën kundër asaj që e cilësojnë si kastë politike të korruptuar, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit në kryeqytet u dëgjuan thirrjet “Edi Rama jep dorëheqje”, “Ju erdhi fundi” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Protestuesit deklaruan se kërkesat e tyre nuk mund të negociohen dhe paralajmëruan se tubimet do të vijojnë deri në largimin e Ramës.

Kritikat u drejtuan edhe ndaj Parlamentit, për të cilin qytetarët thanë se është mbushur me deputetë analfabetë dhe politikanë që nuk punojnë në shërbim të vendit.

“Në datën 23 duhet të jemi këtu. Të mos mungojmë”, bëri thirrje aktivisti.

Gjatë protestës u brohoritën gjithashtu parullat “Jo më Zegjine”, “140 deputetë që të gjithë analfabet”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Parlament i krimit”.

Ashtu siç e kishin paralajmëruar, ata kanë shkruar në rrugë datën 23 korrik, ditë në të cilën do të zhvillojnë protestën jashtë dyerve të Kuvendit, ku do të mbahet seanca e fundit plenare.

Më herët gjatë paradites, disa protestues ishin të pranishëm te Kuvendi, aty ku po mbahej seanca plenare.

Ata kishin paralajmëruar një protestë paqësore, por goditën makinat e Gardës dhe deputetëve me vezë me emrin e tyre.

ME TE LEXUARAT