U ekzekutua në Lezhë bashkë me bashkëshorten, ja kush është 39-vjeçari

Aktualitet

U ekzekutua në Lezhë bashkë me bashkëshorten, ja kush

Ky është Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, një nga dy viktimat e atentatit me armë zjarri të ndodhur ditën e sotme në Balldren të Lezhës, ku humbi jetën bashkë me bashkëshorten e tij. Çifti u ekzekutua teksa ndodhej në automjet, ndërsa autorët janë larguar nga vendngjarja.

Mujeci njihej si person me bindje fetare dhe më herët kishte bërë thirrje publike për pjesëmarrje në protestat e Rrjollit.

Emri i tij rezulton i njohur edhe për organet e drejtësisë. Në vitin 2017, policia e Lezhës dhe Shkodrës, me mbështetjen e forcave FNSH, ndërhyri në banesën e tij dhe të vëllait në Torovicë, ku u arrestuan në kuadër të hetimeve për një vrasje të ndodhur një vit më parë.

Sipas autoriteteve, Kreshnik Mujeci dhe vëllai i tij akuzoheshin se në bashkëpunim me vëllanë tjetër, Jozef Mujeci, kishin vrarë më 6 tetor 2016 Gegë Mëhillin, i njohur edhe si Gent Pjetri. Ngjarja ndodhi në aksin Shkodër–Velipojë, pranë zonës së njohur si Mali i Jushit. Viktima po transportonte miell me kamion kur iu pre rruga, ndërsa pasi tentoi të largohej në këmbë, u qëllua për vdekje.

Shkak i dyshuar i asaj ngjarjeje ishte një konflikt mes palëve, ndodhur një ditë më herët. Një ditë pas krimit u arrestua Jozef Mujeci, ndërsa dy vëllezërit e tjerë ranë në pranga një vit më vonë gjatë operacionit policor të koduar “One Year”.

Hetuesit po verifikojnë nëse atentati i sotëm ka lidhje me ngjarje të mëparshme kriminale apo me konflikte të tjera.

ME TE LEXUARAT