Tragjedia në familjen Mekolli/ Si u vdiqën të 2 djemtë policë

Aktualitet

Tragjedia në familjen Mekolli/ Si u vdiqën të 2 djemtë

Shqipëria u trondit këtë të enjte nga humbja e jetës së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u vra gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar në zonën e Lozhanit, në Maliq. Mekolli, 34 vjeç, pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, humbi jetën teksa kryente detyrën në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

Sipas të dhënave paraprake, forcat e policisë kishin rrethuar një stan në malin e Bodenit, ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari Violand Braçellari, një person i shpallur në kërkim prej vitesh. Pasi iu bë thirrje të dorëzohej, ai refuzoi dhe hapi zjarr ndaj efektivëve. Nga sulmi mbeti i vrarë Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, inspektori Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, autori u plagos dhe u arrestua nga policia.

Enea Mekolli la pas familjen e tij, bashkëshorten dhe një djalë të mitur. Emri i tij tashmë i shtohet listës së efektivëve që kanë sakrifikuar jetën në shërbim të sigurisë publike, duke u kthyer në simbol të përkushtimit dhe detyrës ndaj shtetit

Më herët familja Mekolli ka humbur edhe një djalë tjetër, vëllain e Eneas gjithashtu polic, i cili ndërroi jetë nga sëmundje e rëndë.

Enea Mekolli do të prehet në vendlindjen e tij, familja refuzon varrimin në Varrezat e Dëshmorëve.

Homazhet në nderim të Enea Mekollit do të zhvillohen të premten në orën 12:00 në Pallatin e Kultures Pogradec, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në fshatin e tij të lindjes Blace

 

ME TE LEXUARAT