Sadushi kërkon zgjidhje urgjente për pagat e gjyqtarëve: Bllokimi cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i ka kërkuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e situatës së krijuar pas bllokimit të pagave të sistemit të drejtësisë.
Në një letër drejtuar ministrit, Sadushi argumenton se pezullimi i trajtimit financiar të gjyqtarëve cenon drejtpërdrejt garancinë kushtetuese për paprekshmërinë e pagës së tyre, si dhe pavarësinë institucionale të pushtetit gjyqësor.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, mosveprimi i Kuvendit apo mungesa e planifikimit buxhetor nuk mund të përdoren si bazë për pezullimin administrativ të pagave të gjyqtarëve.
Sadushi kërkon që pagat të jepen në përputhje me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke theksuar se ky vendim nuk përbën një përcaktim autonom të pagës nga KLGJ-ja, por është pasojë e drejtpërdrejtë e një boshllëku ligjor.
Në argumentimin e tij, kreu i Gjykatës së Lartë nënvizon se KLGJ ka vepruar në funksion të zbatimit të Kushtetutës dhe të garantimit të të drejtave financiare të gjyqtarëve.
Sipas Sadushit, situata kërkon një zgjidhje të menjëhershme, pasi çdo vonesë në dhënien e pagave rrezikon të prekë jo vetëm të drejtat financiare të gjyqtarëve, por edhe parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.


