Rama në prezantimin e Health Hub Hospital: Kapitull i ri për shëndetësinë, do trajtohen sëmundjet e komplikuara

Kryeministri Edi Rama foli sot në prezantimin e Health Hub Hospital, një spital ekselence europiane që vjen në Tiranë nga Grupi San Donato si nje destinacion i ri shëndetësor në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e mbajtur Rama theksoi se synimi është që ekselenca të krijojë kushtet për mjekët dhe infermierët shqiptarë t’i shërbejnë vendit të tyre.
Rama ndër të tjera tha se sistemi shëndetësor në Shqipëri ka qenë për vite të tëra një dështim i madh, ndërsa tani ka nisur një rrugëtim drejt përmbushjes së ambicjeve të qytetarëve.
“Ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm për sektorin tonë shëndetësor sepse kemi nevojë për një shtysë tjetër përpara. E nisëm punën me infrastrukturë jashtë çdo standardi, kemi bërë goxha punë për të rindërtuar, për të nxitur më tepër mjekët dhe infermierët, dhe kemi punuar për të kaluar nga një sistem që ishte dështim i madh, drejt një sistemi që ka nisur të rrugëtojë drejt asaj që është ambicia e qytetarëve shqiptarë. Ama kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar cilësi shërbimi.
Ky realitet i ri është i rëndësishëm si model dhe pikë referencë, për rritjen e dijes dhe kapitalit njerëzor, që formohet në Shqipëri. S’do jetë vetëm spital ekselence që vjen nga jashtë, por ku ekselenca krijon kushtet për mjekët dhe infermierët shqiptar, që t’i shërbejnë vendit të tyre, në një realitet që është në nivelet më të mira europiane. Vendi do të jetë më mirë i pajisur për t’u shërbyer qytetarëve”.


