“Poshtë diktatura!”/ 74 ditë tubim në kryeqytet, protestuesit nisin marshimin pas fjalimeve
Kanë përfunduar fjalimet e mbajtura nga të rinjtë, aktivistët dhe qytetarët nga podiumi përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa protesta e 74-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij ka kaluar në fazën e saj vijuese.
Pas mesazheve të forta të përcjella nga brezi i ri lidhur me krizën e emigrimit, mungesën e meritokracisë dhe politikat e ekzekutivit, turma e mbledhur ka lënë hapësirën përpara godinës qeveritare.
Së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë të shumtë, protestuesit kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ku do të vijojnë lëvizjen drejt rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Përgjatë itinerarit të marshimit, bulevardi dhe akset kryesore të Tiranës janë mbushur nga koret e fuqishme të protestuesve. Me thirrjet e përsëritura “Rama jep dorëheqjen!”, “Shqipëria kërkon revolucion!” dhe “Poshtë diktatura!”, qytetarët po marshojnë pa ndërprerje, duke paralizuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.


