Pedagogu, Sandër Kovaçi: Rama duhet të japë dorëheqje, ose të prangoset në zyrë nga SPAK-u! Duan të sjellin…

Kryeministri Edi Rama duhet të dorëhiqet dhe të japë llogari para drejtësisë, dy rrugët me të cilat protestuesit janë gati ta ndihmojnë, që të mos ndodhë e treta, ajo e përfundimit si Çaushesku në Rumani.
Kështu u shpreh sot nga podiumi i protestës para Kryeministrisë, pedagogu Sandër Kovaçi, i njohur zyrtarisht edhe si Aleksandër Kovaçi, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH).
“Kanë ngritur një oligarki edhe në universitete. Tre mundësi ka Edi Rama, të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë Shqipërisë së re me anë të zbatimit të 5 pikave të protestës, së dyti, është t’i shkojë SPAK dhe ta prangosë në zyrë. Kjo është rruga e dytë dhe them ta ndihmojmë me këto dy rrugë që të mos ndodhë e treta, të përfundojë si Çaushesku”, tha ai.
Në fund ai apeloi për të gjithë intelektualët dhe qytetarët e të gjitha shtresave që t’i bashkoheshin sheshit për të ndërtuar një vend të ri dhe të drejtë.
“I bëj thirrje të gjithë intelektualëve, të gjithë profesorëve të vijnë këtu në shesh dhe të qëndrojmë derisa të ndërtohen institucionet e Shqipërisë evropiane”.


