Nisma “Prania Besnike”, aktivisti: Rama ka shumëzuar me zero institucionet dhe ka krijuar partinë-shtet!

Në protestën e 99-të kundër qeverisë, një prej aktivistëve ka kritikuar ashpër ‘Praninë Besnike’, nisma e re e ndërmarrë nga qeveria, duke e akuzuar mazhorancën se ka zëvendësuar institucionet shtetërore me strukturat partiake.
Sipas tij, qytetarëve po u përcillet mesazhi se problemet e tyre nuk zgjidhen përmes institucioneve, por përmes zyrave të partisë dhe deputetëve të zonave.
“Në rast se ne kemi një problem me pronën, nuk duhet të shkojmë te Kadastra, por te zyra e partisë. Nëse ke një problem me arsimin, kopshtet, nuk duhet të shkojmë te drejtoria rajonale, por duhet të shkojmë te zyra e partisë”, deklaroi ai.
Aktivisti akuzoi më tej qeverinë se, sipas tij, ka “njëhsuar shtetin me partinë” dhe ka dobësuar rolin e institucioneve.
“Kjo qeveri, me zë, figurë dhe veprime, e ka njëhsuar shtetin me partinë. Pra, e ka shumëzuar me zero çdo institucion shtetëror”, tha ai.
Duke iu referuar 99 ditëve të protestës, aktivisti deklaroi se, sipas tij, qeveria nuk ka reflektuar ndaj kërkesave të qytetarëve, por është bërë më agresive në atë që ai e cilësoi si filozofi të “partisë-shtet”.
Aktivisti: Ajo që ka ndodhur këto ditë është ulëritëse. Qeveria që ka 13 vite në pushtet, e që ka hyrë në vitin e 14-të, po na thotë që problemet tona nuk i zgjidh shteti, nuk i zgjidh institucioni, por i zgjidh partia nëpërmjet “Pranisë Besnike”.
Ata i kanë hapur disa zyra dhe po na tregojnë se problemet tona, në rast se ne kemi një problem me pronën, nuk duhet të shkojmë te Kadastra, por te zyra e partisë. Nëse ke një problem me arsimin, kopshtet, nuk duhet të shkojmë te drejtoria rajonale, por duhet të shkojmë te zyra e partisë.
Pra, kjo qeveri, me zë, figurë dhe veprime, e ka njëhsuar shtetin me partinë. Pra, e ka shumëzuar me zero çdo institucion shtetëror dhe mendon që të shkojmë te deputeti i zonës që kemi një hall, dhe deputeti të hyjë mik te Kadastra që të marrim certifikatën e pronësisë, atë që na takon.
Pra këta, për 99 ditë, jo që nuk kanë reflektuar, por janë bërë edhe më agresivë në filozofinë e tyre politike, të partisë-shtet. Këtë parti-shtet që Edi Rama ka krijuar së bashku me qeverinë e tij dhe që e ka perfeksionuar me deputetë e sistemit e patronazhimit, ne duhet ta shëmbim.
Ne duhet ta shkulim me rrënjë, sepse në rast se këta vazhdojnë të jenë në pushtet edhe për disa muaj, edhe për disa vite, shteti do të zhduket dhe, njësoj si në kohën e Enver Hoxhës, do të jetë një alternativë, Partia e Punës, pasardhëse e të cilës është Partia Socialiste.


