“Mes plehrave” në Gjirokastër, rreth 60 familje ngrenë alarmin për mbetjet dhe insektet

Rreth 60 familje në lagjen Zinxhira në Gjirokastër jetojnë mes mbetjeve urbane, aromës së rëndë dhe insekteve.
Banorët ngrenë alarmin për një situatë që, sipas tyre, po kthehet në kërcënim serioz për shëndetin publik dhe e cilësojnë zonën si një vatër potenciale infeksionesh. Mbetjet, të depozituara në hapësirat pranë banesave, sipas banorëve pastrohen vetëm një herë në muaj, një frekuencë që nuk përballon sasinë e tyre. Me rritjen e temperaturave, situata rëndohet edhe më shumë, ndërsa aroma e padurueshme dhe insektet e bëjnë të vështirë jetesën normale
Problematika pranohet edhe nga drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Publike, Bashkim Tola. Ai thotë se do të shtohen kontejnerët, por kërkon edhe përgjegjshmëri nga vetë banorët. Tola thekson se disa prej kontejnerëve të vendosur më parë janë marrë nga komuniteti, ndërsa u bën thirrje banorëve të mos i hedhin mbetjet vend e pa vend dhe të mos i djegin ato.


