Kaos me Serverin e Tatimeve / Sistemi nuk fiskalizon faturat prej një jave, bllokohet aktiviteti i bizneseve

Aktualitet

Kaos me Serverin e Tatimeve / Sistemi nuk fiskalizon faturat prej një jave,

Sistemi elektronik i Tatimeve po përballet me një problem të rëndë teknik, ku mijëra fatura të lëshuara nga bizneset dhe të pranuara nga vetë platforma po mbeten të pafiskalizuara. Kjo situatë e bën të pamundur shlyerjen e faturave nga bizneset pritëse, duke krijuar bllokim në aktivitetin e tyre të përditshëm.

Sipas burimeve brenda kompanisë , sistemi ka më shumë se një javë që nuk sinkronizohet, çka ka sjellë dështimin e procesit të fiskalizimit.

Aktualisht, ky sistem po menaxhohet nga “Albanian Digital Solution”, kompania shtetërore e krijuar nga AKSHI me qëllim marrjen në dorëzim të sistemeve kompjuterike shtetërore të cilave u kanë përfunduar kontratat me subjektet private.

Ndonëse AKSHI hapi gjatë vitit të kaluar tenderin për mirëmbajtjen e sistemit për katër vitet e ardhshme, procedura u bllokua pas hetimit të SPAK-ut për AKSHI-n dhe nuk është realizuar ende.

Pas këtij skandali, qeveria ka pezulluar praktikisht çdo tender në fushën e teknologjisë së informacionit.

Kjo ka bërë që kontratat me kompanitë private të skadojnë dhe mirëmbajtja t’i kalojë kompanisë shtetërore, ndërsa mjaft platforma publike po shfaqin defekte të përsëritura teknike.

ME TE LEXUARAT