“‘Mand Dhelpra’ ende në arrati, hetimet zbardhin detaje të reja për vrasjen e Eglant Koçit

Armand Shakaj vijon të jetë në arrati, ndërsa sipas burimeve mediatike, po bëhen përpjekje dhe kontakte për ta bindur që të dorëzohet para autoriteteve.
Në të njëjtën kohë, komunikimet me familjarët e tij kanë nisur që në hapat e parë të hetimit dhe janë intensifikuar pas gjetjes së trupit. Megjithatë, të afërmit e Shakajt mohojnë kategorikisht se kanë pasur kontakte me të dhe shprehen se nuk dinë asgjë për vendndodhjen e tij.
Hetimet për ngjarjen e rëndë, ku humbi jetën 34-vjeçari Eglant Koçi, kanë zbuluar se në trupin e viktimës është konstatuar një plagë në pjesën e pasme të kokës. Ky detaj ka forcuar dyshimet se Shakaj, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”, mund të ketë përdorur armë zjarri, e cila ende nuk është gjetur nga policia.
Sipas hetuesve, i dyshuari ka ndryshuar disa herë numrat e telefonit gjatë dhe pas ngjarjes. Gjithashtu, sinjalet e telefonit të tij janë kapur në territorin e Tiranës, duke rritur dyshimet se ai mund të jetë fshehur në zona të izoluara pranë kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, kontrollet dhe kërkimet e policisë nuk kanë sjellë ende rezultate.
Ndërkohë, trupi i pajetë i 34-vjeçarit Eglant Koçi është përcjellë sot për në banesën e fundit, mes dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve të tij.


