Sejko: Të rriten pagesat dixhitale! Por nga ana tjetër, rreth 5 miliardë euro qarkullojnë jashtë bankave

Aktualitet

Sejko: Të rriten pagesat dixhitale! Por nga ana tjetër, rreth 5

Një shtet që synon të funksionojë gjithnjë e më shumë përmes transaksioneve bankare, duke reduktuar në maksimum përdorimin e parasë fizike, duket se po hedh hapa përpara. Këtë e tregojnë edhe të dhënat që paraqiti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një aktivitet të zhvilluar në Akademinë e Shkencave.

“Për të nxitur këtë ndryshim janë ndërmarrë masa konkrete, duke vendosur kufij maksimalë për pagesat me para në dorë dhe duke favorizuar pagesat elektronike. Kurorëzimi i këtyre iniciativave është anëtarësimi në SEPA, ku tashmë të gjitha bankat në vend janë pjesë. Falë SEPA-s, qytetarët shqiptarë mund të kryejnë transferta në euro me shpejtësi dhe tarifa shumë të ulëta, njësoj si në vendet e Bashkimit Europian. Pagesat dixhitale janë rritur me 25% nga viti në vit, numri i kartave bankare ka arritur në 1.5 milionë, ndërsa rrjeti i terminaleve POS po zgjerohet vazhdimisht në të gjithë vendin”, tha Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Por, ndërsa pritej që sasia e parasë fizike në qarkullim të binte, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë të kundërtën. Paratë që lëvizin jashtë sistemit bankar kanë arritur në rreth 5 miliardë euro, duke shënuar rritje nga muaji në muaj.

“Shkalla e informalitetit mbetet shqetësuese. Kur qarkullojnë rreth 5 miliardë euro jashtë bankave, kjo tregon se informaliteti nuk po zvogëlohet. Për këtë arsye duhet të reduktohet përdorimi i parasë cash, duke kaluar gradualisht nga kartëmonedhat me prerje të larta drejt atyre me vlera më të ulëta, në mënyrë që të dekurajohen pagesat me para në dorë”, u shpreh Selami Xhepa, ekspert ekonomie

Megjithatë, kalimi drejt një ekonomie pa cash, edhe pse ndihmon në luftën kundër informalitetit dhe rrit transparencën, sjell edhe rreziqe për qytetarët.

“Avantazhet janë të qarta, pasi ekonomia bëhet më transparente. Por ekzistojnë edhe rreziqe, ku më kryesori lidhet me privatësinë e qytetarëve dhe sigurinë kibernetike. Prandaj duhet gjetur një ekuilibër mes interesit publik dhe mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa sulmet ndaj sistemeve elektronike mbeten një kërcënim real”, shtoi Xhepa.

Ndërsa Shqipëria po afrohet me standardet europiane në fushën e pagesave elektronike, sfida mbetet bindja e qytetarëve dhe bizneseve për të braktisur pagesat  fizike.

ME TE LEXUARAT