Lokalizohet nga policia në Durrës/ Arrestohet 33-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia

Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është lokalizuar dhe arrestuar në Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Next”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe homologët italianë, kapën shtetasin M. T., 33 vjeç, banues në Shijak.
33-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale e Breshias i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.
Sipas autoriteteve italiane, M. T. dyshohet se është pjesëtar i një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit drejt Italisë.


