Ngjarja në hotelin në Radhimë, gjykata cakton masat e sigurisë për 5 të arrestuarit, tre prej tyre në burg (EMRAT)

Janë caktuar masat e sigurisë për pesë personat e arrestuar në lidhje me konfliktin e ndodhur pak ditë më parë në një hotel në Radhimë.
Për Angjelo Breshanin gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për Luan Muçën është caktuar “detyrim paraqitjeje”.
Ndërkohë, për tre të arrestuarit e tjerë, Blerim Hetën, Klaudjo Lleshajn dhe Mandrit Lleshajn, është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”.
Në lidhje me ngjarjen, gjashtë persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas pretendimeve të ngritura gjatë hetimeve, konflikti dyshohet se ka nisur për një gjobë prej 5 milionë eurosh. Biznesmeni Vasil Bedinaj ka akuzuar për këtë çështje biznesmenin Luan Muça.

Ky i fundit i ka kundërshtuar pretendimet, duke deklaruar se përplasja nuk kishte lidhje me një gjobë, por kishte ardhur për shkak të një konflikti pronësie në bregdetin e jugut.
Pas përplasjes në ambientet e hotelit, dy prej personave të përfshirë në konflikt janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Ndërkohë, gjatë hetimeve është zbuluar se dy persona të tjerë të përfshirë në konflikt ishin punonjës të Policisë Ushtarake dhe për këta të fundit është marrë masa e pezullimit nga detyra.


