Konflikti i fortë i biznesmenëve për 5 milion euro, 10 persona në kërkim, arrestohen 5 të dyshuar

Aktualitet

Konflikti i fortë i biznesmenëve për 5 milion euro, 10 persona
Përplasja mes pronarit të kompanisë “Delta”, Luan Mucës, dhe biznesmenit Vasil Bedinaj ka çuar në arrestimin e disa personave dhe shpalljen në kërkim të 10 të tjerëve.

Hetimet vijojnë për të zbardhur konfliktin dhe rolin e secilit të përfshirë. Dhjetë persona janë shpallur në kërkim nga policia në kuadër të hetimeve për konfliktin mes biznesmenit Luan Muca, pronar i kompanisë “Delta”, dhe Vasil Bedinajt, i lidhur me rrjetin e hoteleve “Regina”.

Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Bujar Muca, vëllai i Luan Mucës. Bujar Muca ishte zgjedhur deputet nën siglën e PDIU-së, por hoqi dorë nga mandati pa u betuar në Kuvend.

Në listën e personave të kërkuar janë edhe Edison Zalla, Serxhio Cani, Rei Degjoni, Renato Kodra, Klej Doci, Arjan Doda, Marjos Ramosacoj, Altin Grori dhe Fatjon Maknori. Dy të fundit janë efektivë të Policisë Ushtarake.

Ndërkohë, në pranga kanë përfunduar Luan Muca dhe dy vëllezërit Mandrit dhe Klaudio Lleshaj, të cilët dyshohet se kanë qenë shoqërues të biznesmenit.

Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprime që lidhen me gjobëvënien. I arrestuar është edhe Blerim Heta.

Në kuadër të të njëjtit hetim është arrestuar edhe Angjelo Breshani, shoferi i Vasil Bedinajt. Ai dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të grupit të Luan Mucës, teksa këta të fundit po largoheshin nga resorti “Regina”. Pas të shtënave, policia është vënë në ndjekje të automjetit me të cilin udhëtonte Muca. Gjatë ndjekjes, automjeti është aksidentuar dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur Luan Muca dhe një prej personave që ndodhej me të.

Përplasja për 5 milionë euro

Sipas pretendimeve të Vasil Bedinajt, Luan Muca i kishte kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh.

Ky version kundërshtohet nga Muca, i cili e mohon akuzën dhe pretendon se konflikti mes tyre lidhet me një çështje pronësie. Përplasja mes dy palëve tashmë është pjesë e një hetimi penal, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe përgjegjësitë e mundshme penale. Deri në përfundim të hetimeve dhe një vendimi përfundimtar të gjykatës, personat e përfshirë në këtë çështje prezumohen të pafajshëm.

ME TE LEXUARAT