I vodhën paratë në llogari, qytetari fiton gjyqin me Raiffeisen: Banka të kthejë dëmin
Një qytetar shqiptar ka paditur bankën Raiffeisen Bank në Tiranë, pasi ka zbuluar se në llogarinë e tij pranë kësaj Banke janë kryer tërheqje parash të pa autorizuara më shumë se një herë.
Qytetari e ka fituar gjyqin me bankën, ndërkohë që Raiffeisen Bank para dhe gjatë procesit, nuk ka pranuar të kompensojë paratë që ishin marrë nga persona të pa identifikuar në llogarinë e të dëmtuarit.
Sipas vendimit gjyqësor që disponon Lajmifundit.al, paditësi F B, ka qënë klient i palës së paditur Raiffeisen Bank sh.a. që nga viti 2008 mbi bazën e një kontrate për llogari rrjedhëse në lekë dhe euro. Me datë 29.01.2013 ai është paraqitur pranë filialit të palës së paditur në rrugën e Kavajës për të kryer një veprim bankar dhe është vënë në dijëni së në llogarinë e tij janë kryer veprime nga persona të paautorizuar dhe të panjohur prej tij.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Vendimi i dhene nga gjykata pershkruan te dhena te frikshme ne lidhje me sigurine e llogarive bankare ku duket se lehtesisht mund te veprohet nga persona te tjere per te kryer terheqje shumash financiare.
Këshu me datë 24.01.2013 llogaria e paditësit është kredituar për një shumë prej 200,000 lekë. Po në këtë datë një person me emrin e paditësit ka tërhequr shumën prej 200,000 lekë. Me datë 25.01.2013 i njëjti person ka tërhequr shumën prej 3600 euro.
Me datë 28.01.2013 është tërhequr shuma prej 100,000 lekë dhe 3000 euro, ndërsa me datë 29.01.2013 është tërhequr shuma prej 500,000 lekë. Sa sipër provohet se një person i paautorizuar nga paditësi ka patur akses të plotë në llogarinë e tij, duke ditur gjendjen e saj dhe tërhequr shumat në të dy monedhat për një periudhë 5 ditore.
Reagimi i paditësit natyrshëm ka qënë me një shqetësim të madh, por nuk ka gjetur të njëjtin shqetësim nga punonjësit e palës së paditur. Kështu nga një punonjëse e këtij filiali i është thënë se veprimet nuk janë kryer në filialin e rrugës së Kavajës dhe paditësi duhet të shkonte për verifikim në agjensitë e Porcelanit.
Vetëm mbi këmbënguljen e paditësit ajo ka pranuar të kryejë verifikimet e nevojshme dhe është mësuar se veprimet bankare ishin kryer në agjensi të ndryshme të palës së paditur në Tiranë.
Pas kësaj paditësi ka paraqitur ankesën pranë palës së paditur duke pretenduar nga ana e saj është shkelur ruajtja e konfidencialitetit dhe mosndërhyrjes në llogari, por sipas paditësit edhe në këtë rast qëndrimi i palës së paditur nuk ka qënë korrekt.
Kështu megjithëse me faj, pala e paditur nuk ka pranuar të rimbursojë llogarinë e paditësit pa u kthyer shumat nga personi që i kishte tërhequr, dy shuma i janë kthyer atij pasi janë kthyer nga personi që kishte bërë tërheqjen, ndërsa pjesa tjetër i është rimbursuar vetëm pasi paditësi i është drejtuar gjykatës me padi.
Sipas paditësit këto shuma ai i depozitonte në bankë për shkak të nevojave të familjes dhe ky ishte qëllimi që llogaria e tij ishte rrejdhëse dhe jo depozitë, tërheqja në çdo kohë e shumave të depozituara.
Përfaqësuesi i Bankës, kërkoi rrëzimin e padisë duke pretenduar se nuk u vërtetua ekzistenca e elementeve të përgjegjësisë që rrjedh nga shkaktimi i dëmit jo pasuror, pranohet fakti që nga ana e punonjësve të bankës janë bërë gabime, ky rast është trajtuar me seriozitetin e duhur dhe korrektesë nga ana e tyre, i është kërkuar ndjesë paditësit dhe i është rimbursuar e gjithë shuma e depozituar.
Sipas ligjit jo çdo veprim i gabuar mund të shkaktojë cënimin e nderit e personalitetit të njerit, gabimi i bërë nuk është nga ato veprime që mund të sjellë ulje të figurës dhe reputacionit të individit.
Nuk është cënuar jeta private e paditësit pasi nuk u provua që banka të ketë përhapur të dhëna personale të tij apo të ketë trajtuar informacionin e klientit në kundërshtim me rregullat për ruajtjen e sekretit bankar. Veprimet e kryera nga banka nga pikëpamja objektive nuk janë të asaj natyre që të shkaktojnë cënimin moral të paditësit.
Gjykata mbasi dëgjoi palët dhe shqyrtoi provat e administruara në gjykim çmos se padia e paditësit është pjesërisht e mbështetur në ligj dhe në prova prandaj ajo duhet pranuar pjesërisht.
Në përfundim gjykata vendosi :
• “Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit F B.
• Detyrimin e palës së paditur Raiffeisen Bank sh.a. të dëmshpërblejë paditësin F B për dëmin jopasuror në shumën 200,000 (dyqind mijë) lekë.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur”.
Ky vendim pasi të marrë formë të prerë dhe të konfirmohet nga Kancelari i Gjykatës, kthehet në titull ekzekutiv të detyrueshëm për tu zbatuar nga shërbimi përmbarimor.