Kushti i pazakontë për ndeshjen e shekullit, ja ku pritet të zhvillohet Tyson Fury-Anthony Joshua

Sport

Kushti i pazakontë për ndeshjen e shekullit, ja ku pritet të

Përballja e shumëpritur mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury duket se po merr formë, ndërsa Cardiff po shfaqet si favorit i papritur për të pritur duelin e madh.

Sipas raportimeve të fundit, organizatorët po shqyrtojnë zhvillimin e sfidës në Principality Stadium, por për këtë duhet të bëhet një përjashtim i veçantë.

Vendndodhja e duelit të parashikuar për fundin e nëntorit ka qenë prej kohësh objekt diskutimesh mes dy kampeve dhe organizatorëve. Joshua, 36 vjeç, ka qenë në favor të zhvillimit të ndeshjes në Britaninë e Madhe, aty ku tifozët presin prej kohësh përballjen mes dy prej emrave më të mëdhenj të boksit britanik.

Fillimisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht Madison Square Garden në Nju Jork, konsideroheshin si një prej alternativave kryesore. Netflix dhe financuesi saudit Turki Alalshikh raportohej se preferonin që dueli të zhvillohej në SHBA.

Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar dhe Principality Stadium në Cardiff është shfaqur si një kandidat serioz për të marrë të drejtën e organizimit të sfidës.

Sipas raportimeve, një konferencë për shtyp është planifikuar paraprakisht për javën e ardhshme, por marrëveshja për zhvillimin e ndeshjes në Cardiff varet nga miratimi i një kërkese të veçantë.

Principality Stadium aktualisht ka një orar kufizues deri në 22:30 për eventet. Për të zhvilluar duelin Joshua–Fury, ky kufizim do të duhet të hiqet përkohësisht.

Nëse autoritetet u japin dritën jeshile organizatorëve, përballja mund të nisë deri në orën 02:00 të mëngjesit, në mënyrë që transmetimi të jetë i përshtatshëm edhe për audiencën ndërkombëtare.

Kjo do të nënkuptonte që rreth 80 mijë tifozë në stadium do të duhet të qëndrojnë zgjuar deri në orët e para të mëngjesit për të ndjekur drejtpërdrejt duelin mes dy gjigantëve britanikë.

Vendimi për këtë kërkesë pritet të merret nga qeveria e Uellsit.

Një orar kaq i vonë nuk do të ishte precedent i paprecedentë për Principality Stadium. Në vitin 2007, përballja e legjendës së boksit uellsian Joe Calzaghe me Mikkel Kessler nisi gjithashtu rreth orës 02:00.

Nëse miratohet plani, Cardiff do të bëhej kështu skena e një prej përballjeve më të mëdha të boksit të viteve të fundit, me Joshua dhe Fury që më në fund mund të përballen në ringun britanik.

ME TE LEXUARAT