Kroacia bllokon specat shqiptarë/ Asgjësohen 12 tonë me pesticide, çmimi në Myzeqe bie nga 95 në 35 lekë

Kroacia, për 72 orë, ka asgjësuar ngarkesën e tretë me speca nga Shqipëria, për shkak të pranisë së lartë të pesticideve.
Këtë herë, sasia e produktit të eliminuar shkon në 12 tonë e 320 kg.
Në njoftimin e sistemit RASFF cilësohet se specat, të prodhuar në Poshnje të Beratit, janë spërkatur me dy lloje kimikatesh, acetamiprid dhe flonicamid, preparate bujqësore që shërbejnë për eliminimin e insekteve, si krahëbardha, e cila dëmton bimën.
Edhe pse këto dy lloje preparatesh bujqësore janë pjesë e PMB-ve, edhe kësaj here fermeri ka abuzuar me sasinë e pesticideve.
Alertin për praninë e këtyre pesticideve në produktet bujqësore e japin gjithmonë shtetet pritëse të prodhimeve shqiptare, ndërkohë që prodhimi i tyre duhet të ndalet që në fushë nga Ministria e Bujqësisë.
“Fare pak kontrolle të zakonshme rutinë ushtrohen në fushë. Mjafton të ndërhyhet vetëm kur plasin skandalet në media apo kur ndonjë biznes kryen vetëkontroll. Duhet që strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Bujqësisë, në planin e tyre vjetor, të planifikojnë kontrolle të zakonshme, kontrolle të rëndomta direkte te prodhuesi, dhe të mos presin që të plasë skandali, sepse më pas situata është e parikuperueshme”, u shpreh eksperti i Bujqësisë, Ndoc Fasllia.
Gabimi i një fermeri që prodhon speca me pesticide, në terren po dëmton edhe ata fermerë që prodhojnë me cilësi, pasi çmimi i këtij produkti ka pësuar rënie prej 30 lekësh.
“Për një tregtar, kthimi i një ose dy kamionëve nuk përbën ndonjë problem të madh, por efekti i problemit shkon te 1000–2000 fermerët e Myzeqesë. Do të thotë se çmimi i shitjes, nga 95 lekë që ishte para një jave, sot ka rënë në 35 lekë. Ata po shesin nën kosto”, tha Fasllia.
Lajme të tilla rrezikojnë të tkurrin hartën e tregjeve europiane që zgjedhin të konsumojnë prodhime shqiptare. Prandaj, eksportuesit shqiptarë duhet ta analizojnë gjithmonë ngarkesën para se ajo të marrë rrugën për të kaluar doganën.
“Përgjegjësia kryesore bie mbi fermerin që prodhon me standard të dobët, por edhe mbi grumbulluesin. Çfarë i kushton atij grumbulluesi të bëjë një analizë në laboratorët e akredituar dhe të nxjerrë një rezultat të saktë para se të eksportojë dhe të prishet imazhi i shumë prodhuesve vendas?”, u shpreh eksperti.
Rezultatet e analizave për specat shqiptarë kanë shtyrë Kroacinë të marrë vendim që asnjë prodhim nga tokat tona të mos kalojë kufirin pa iu nënshtruar më parë testeve laboratorike.


